Maqedoni
“Bit Pazar” - tregtarët në protesta: Thanë do e rregullojnë tregun, por po e shesin; Skopski Pazar”: Nuk e detyrojmë askënd të blejë dyqane në tregun e ri
29.09.2017 17:43
Tregtarët në “Bit Pazar” alarmojnë se dyqanet e tyre po shiten dhe thonë se “Skopski Pazar”, pronari i tregut në “Bit Pazar”...

Tregtarët në “Bit Pazar” alarmojnë se dyqanet e tyre po shiten dhe thonë se “Skopski Pazar”, pronari i tregut në “Bit Pazar”, po i detyron t’i blejnë dyqanet që deri tani i kanë shfrytëzuar me qira, në tre ditët e ardhshme, në të kundërtën do t’i shiten tjetërkujt. Ata thonë se nuk kanë mundësi blerjeje dhe nëse largohen nga ky vend 1200 familje do të mbeten pa të ardhura.
“Shitet 5500 euro, 6000 euro kuadrati këtu përjashta, kjo është një marre e madhe për këtë shtet. Deri të hënën është afati, na kanë treguar a jeni në gjendje që t’i blini dyqanet a jo, ditën e hënë ai që paraqitet për ta blerë dyqanin i takon dyqani, ai që nuk paraqitet dyqanet kanë me u shitë”,- u shpreh tregtari, Afet Ademi.
“Fjala ishte për me rregullu, ne paguajmë paushall, paguajmë edhe taksat për të hyrat publike, çfarë të keqe ka këtu, dikush ka bë para dhe do ta blejë, ne kemi dhënë votë për të marrë bukë, jo për që të na e marrin bukën”,- u shpreh një tregtar.
Të kontaktuar në mënyrë direkte nga TVM2, Sh. A. “Skopski Pazar” përgjigjet përmes e-mailit, duke përgënjeshtruar, siç thonë ata, spekulimet se tregu po shitet. Thonë se projekti për rregullimin e “Bit Pazarit” daton prej dy vjetësh dhe tregtarët për këtë janë informuar.
““Skopski Pazar” para dy vitesh publikoi informacionin për rekonstruimin tërësor të “Bit Pazarit”, mbulimin e tij, ndërtimin e një parkingu me kapacitet për 230 makina dhe ndërtimin e një hapësire të re afariste. Në kuadër të këtij projekti do të ndërtohet hapësirë e re për shitje, për të cilat “Skopski Pazar”, si pronar, ka të drejtë të formojë çmimet në kuadër të ofertës dhe kërkesës sipas kushteve të tregut. Tregtarët që gjatë kohë punojnë në këtë treg, kanë përparësi gjatë shitjes. Për momentin jemi ende në fazë të marrëveshjeve me blerësit e interesuar, ndërsa për ata që nuk kanë mundësi financiare për blerje, por dëshirojnë të shfrytëzojnë me qira hapësirat e reja, do t’ua mundësojmë të njëjtën në kuadër të mundësive dhe kushteve”,- thuhen të reagim.
Nga “Skopski Pazar” thonë se në hapësirat e reja do të ketë edhe dyqane për shitje edhe për dhënie me qira, por mohojnë të kenë detyruar ndonjë nga pronarët aktualë që të blejë këtë hapësirë.
ARLINDA BAFTIU
