SHBA, jep dorëheqjen Tom Price
Sekretari amerikan i Shëndetësisë Tom Price ka dhënë dorëheqjen....

Sekretari amerikan i Shëndetësisë Tom Price ka dhënë dorëheqjen pasi u zbulua se ai kishte përdorur aeroplanë të shtrenjtë privatë për udhëtime zyrtare.
Price më herët kërkoi falje për 26 udhëtime private me kosto 400,000 dollarë, të bëra që prej majit në kurriz të taksapaguesve amerikanë.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej se presidenti Trump e ka pranuar dorëheqjen e zotit Price, ndërkohë që Don J. Wright është caktuar sekretar i përkohshëm i shëndetësisë.
Ndërkaq, edhe tre zyrtarë të tjerë të kabinetit Trump janë nën vëzhgim për përdorimin e avionëve privatë gjatë punës. Në letrën e tij të dorëheqjes, Price shprehej i penduar për këtë ngjarje që ka krijuar çorientim nga puna e departamentit të shëndetit.
Një hetim i portalit të lajmeve Politico zbuloi se udhëtimet e Price kanë kushtuar mëse 1 milionë dollarë, që përfshin edhe koston e avionit ushtarak të përdorur nga ai për udhëtimet jashtë Shteteve të Bashkuara.
Ish-sekretari Price ka premtuar të ripaguajë shpenzimet e këtyre fluturimeve private. Ndërkohë, presidenti Trump ka deklaruar se së shpejti do të marrë një vendim për rastin e ish-sekretarit Price.
Zyrtarët qeveritarë, përveç atyre që kanë të bëjnë me çështjet e sigurisë kombëtare, janë të detyruar të marrin fluturime komerciale për udhëtime të lidhura me punën.
