Zgjedhjet Lokale 2017, Kasami, projektet për Reçicën e Vogël
Kandidati i Lëvizjes BESA, për komunën e Tetovës, Bilall Kasami....

Kandidati i Lëvizjes BESA, për komunën e Tetovës, Bilall Kasami sot nga Reçica e Vogël ka prezantuar projektin ideor për ndërtimin e shkollës fillore.
Ai tha se ky realizmi i këtij projekti është premtuar edhe më herët, mirëpo asnjëherë nuk është realizuar.
Kasami tha se administrata e mëparshme madje ka premtuar se nëse nuk siguron mjete nga buxheti i shtetit apo ai komunal, investitorë do të sjellë nga Kina.“Ne zotohemi që për katër vite shkolla e Reçicës së vogël do të jetë një ambient ku fëmijët tuaj do të mësojnë siç e meritojnë dhe shkolla juaj do të jetë në mesin tuaj dhe do ta ketë vendin aty ku është paraparë.
Nuk ka nevojë të vrapojmë deri në Kinë, mjafton që fillimisht të kemi një menaxhim të mirëfilltë me financat e komunës. Komuna, ka financa të mjaftueshme që të mund të financojë projekte të tilla”, ka thënë Kasami, duke shtuar se menaxhimi i deritanishëm me financat ka qenë i dështuar.
Kryetari i Lëvizjes Besa dhe kandidat për kryetar të komunës së Tetovës, Bilall Kasami sot në konferencë për shtyp në selinë e partisë në Tetovë foli për zgjidhjen e problemit me hedhurinat i cili është një ndër kryesorët me të cilat po përballën tetovarët.
“Ne si Lëvizje Besa kemi zgjidhje për mjedis të pastër në qytet dhe komunë dhe kemi angazhuar ekip të ekspertëve slloven me çfarë do ta zgjidhim problemin edhe me deponinë dhe me ndotjen. Planifikojmë riorganizim të ndërmarrjes komunale publike që të munden të punësuarit t’i mbledhin të gjitha hedhurinat, për çfarë fillimisht u duhen paga përkatëse dhe pajisje me mekanizëm përkatës dhe nevoja të tjera. Ndërtim të kapacitetit për selektim të hedhurinave me ç’rast një pjesë e kësaj do të shfrytëzohet si repromaterial për industrinë. Dhe si pikë e fundit parashikojmë edukim të popullatës në pikëpamje të hedhjes së mbeturinave dhe trajtimin e tyre. Ne kemi strategji afatgjatë për këtë problem që parashikon zero ndotje në Tetovë, ndërsa me të edhe mjedis më të pastër dhe jetë dinjitoze për qytetarët”, tha Kasami.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve rreth pohimeve të VMRO-DPMNE-së se në prag të fushatës parazgjedhore kryetarja, Teuta Arifi ka angazhuar numër shtesë së punëtorëve, një pjesë e tyre nuk janë banorë të komunës, të cilët e pastrojnë qytetin dhe që paraqet shkelje të Kodit Zgjedhor, Kasami tha se VMRO-DPMNE si partner me BDI-në në pushtetin lokal sigurisht ka informacione për atë gjendje por ata si Lëvizje Besa mbesin në qëndrimin për riorganizim të plotë të KHP Tetovë.
Sipas tij, numri momental i të punësuarve me plan përkatës mund t’i kryejë detyrat për mbajtjen e një Tetove të pastër.
