Zgjedhjet Lokale 2017, demolohet shtabi i BESËS në Shkup Veri
Persona ende të panjohur, kanë demoluar mbrëmë shtabin lokal të Lëvizjes BESA....

Persona ende të panjohur, kanë demoluar mbrëmë shtabin lokal të Lëvizjes BESA në lagjen Veri të Shkupit, që bën pjesë në komunën e Butelit.
Në këtë shtab janë thyer xhamat dhe janë grisur fotografitë dhe materiali propagandues brenda tij.
Shefi i shtabit komunal, Ridvan Mustafa e cilësoi këtë si veprim të ulët, duke shtuar se nëpërmjet veprimeve të tilla nuk mund ta dëmtojnë Lëvizjen BESA. Ai më tej rikujtoi të gjithë subjektet politike për nënshkrimin e deklaratës se do të angazhohen për zgjedhje të drejta dhe korrekte.
“Pas vandalizimit të mbrëmshëm nga persona të papërgjegjshëm me ç’rast u thyen xhamat e zyrës së Lëvizjes BESA në Butel, Lëvizja Besa shpreh shqetësimin e thellë lidhur me këtë akt barbar që bëhet nga persona të papërgjegjshëm dhe dashakeq. U kujtojmë këtyre personave si dhe porositësve të tyre se nëpërmjet këtyre veprimeve ato vetëm edhe njëherë e tregojnë fytyrën e vërtetë të tyre, të jotolerancës ndaj të gjithë të tjerëve si dhe I porosisim se veprimet e tilla, neve si parti nuk na dëmtojnë aspak. Ne do të vazhdojmë me fushatën tonë pozitive, pa fyer, pa grisur dhe pa dëmtuar askënd se ne në dallim prej ju jemi të vendosur t’i shërbejmë vetëm popullit shqiptar dhe ne të gjithë I shikojmë vetëm si vëllezër me të cilët planifikojmë ta ndajmë më të mirën dhe të keqen dhe pas këtyre zgjedhjeve. Dritaret, logot dhe letrat mund t’i grisni, por Lëvizjen BESA nuk do të mund asnjëherë ta ndalni” – tha Ridvan Mustafa, shefi i shtabit komunal të Lëvizjes BESA për në Butel.
Nga kjo parti kanë paraqitur rastin tek organet e rendit dhe presin që të njëjtit ta hedhin dritë mbi këtë rast. (Sevdije Metaj – Zuberi, TVM2)
