SHQIPËRI

Rama: Pas Lazaratit radhën e ka gjyqësori i korruptuar

23.06.2014 16:35

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, paralajmëron se radhën për spastrim të elementëve kriminale e ka sistemi i drejtësisë...........

Pas Lazarati ka humbur tashmë statusin e fshatit të drogës në zemër të Evropës, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, paralajmëron se radhën për spastrim të elementëve kriminale e ka sistemi i drejtësisë.

“Sot prokurorët që kanë marrë kaq shumë kohë këtij vendi, për t’i ardhur vërdallë dosjeve të krimeve të zyrtarëve të lartë, apo duke nxjerrë prej tyre vetëm ca cironka të lodhura, si ato që kapnim ne me kavanozë te bregu i liqenit, duhet ta kenë të qartë se nuk mund t’i fshihen më përgjegjësisë së tyre. Super aksioni i Lazaratit e ka rritur edhe më shumë pritshmërinë popullore ndaj nesh, lidhur me vënien në vend të së drejtës së këtij populli, për dy gjëra shumë të thjeshta që çdo popull i do dhe i meriton, por sidomos një popull në mes të Europës. Për të pasur shtet dhe për të pasur drejtësi”, tha Rama.

Rama e paralelizoi çdonjërin prej gjyqtarëve apo prokurorëve të korrupstuar me Gate Mahmutajn, kryetarin e bandës së Lazaratit, I cili sot është në qelitë e burgut të sigurisë së Lartë. Të njëjtin fat, tha Rama do të kenë të gjithë gjyqtarë që nuk bëjnë drejtësi

“Gatja i Lazaratit me armë dhe me thasë të mbushur me hashash në shtëpi është askushi, në krahasim me Gatet e pushtetit gjyqësor, që për armë kanë çekiçin e gjykatësit, ndërsa paratë i bëjnë me thasë duke nxjerrë nga kafazët Gatet e krimit. Sot, gjyqtarët që kryejnë krime duke u bërë pjesëmarrës në vrasjet dhe tragjeditë njerëzore, që shkaktojnë rrugëve Gatet e liruar me një të rënë çekiçi prej tyre, duhet ta marrin qartë mesazhin se, ne jemi gati të përballemi me çfarëdo kosto me ta”, shtoi kryeministri Rama.

Situata në Lazarat është normalizuar së tepërmi. Nuk ka më asnjë të shtënë me armë në drejtim të policisë, porn ë të njëjtën klohë, policia vazhdon aksionin në ditën e nëntë të tij, duke shtuar sipërfaqet e mbjella me hashash që asgjësohen dhe armët që sekuestrohen. (Luljeta Ndoka, TVM2)