Kanada, 5 të plagosur në incidentet terroriste
Policia kanadeze po heton mbi disa incidente në Edmonton të Albertës....

Policia kanadeze po heton mbi disa incidente në Edmonton të Albertës, por e ka konfirmuar tashmë se ngjarjet e dhunshme, me të gjitha gjasat mund të kenë sfond terrorist.
Një polic trafiku u godit nga një makinë që lëvizte me shpejtësi të lartë, e më pas u qëllua disa herë me thikë mbrëmjen e së shtunës. Pak më vonë, një mikrobus u përplas mbi kalimtarë të rastit, duke plagosur 4 vetë. Drejtuesi i tij u arrestua dy orë më vonë, pas një ndjekjeje policore.
Autoritetet kanadeze të sigurisë deklarojnë se, në njërën prej makinave u gjet një flamur i ISIS-it. Shefi i policisë, Rod Knecht shpjegoi se, shoferi i furgonit ishte ndaluar nga policia pak pas mesnatës dhe emri në dokumentet e tij rezultoi shumë i ngjashëm me atë të të kërkuarit pas incidentit të parë.
I ndaluari është një 30-vjeçar, emri i të cilit nuk ishte i panjohur për policinë. Besohet se ai ka vepruar i vetëm, megjithatë nuk përjashtohet as mundësia e përfshirjes së personave të tjerë, ndaj po hetohet edhe në këtë drejtim.
