Botë

Katalanasit pro pavarësisë, Madridi kundërshton: Nuk kishte referendum!

02.10.2017 10:27

Spanja po përballet me një krizë politike pas votës së katalanasve në favor të pavarësisë në referendumin e kundërshtuar nga Madridi zyrtar...

90% e 2.2 milionë qytetarëve nga 5.3 milionë që kanë të drejtë vote, u shprehën pro ndarjes nga Spanja. 750 mijë vota nuk mund të numërohen pasi kutitë u konfiskuan. Lideri i katalanasve, Carles Puigdemont, tha se vota e njerëzve përcakton rrugën drejt pavarësimit të plotë.

Kryeministri spanjoll, Rajoy, e ka cilësuar votimin një tallje me demokracinë. Sipas tij, nuk ka pasur një referendum për pavarësinë e Katalonjës. Policia spanjolle përdori shkopat dhe plumbat e gomës kundër njerëzve që donin të votonin, duke lënduar rreth 900 prej tyre.

Votimi për referendumin e së dielës në Katalonjë rrezikon ta çojë vendin në një nga krizat më të këqija politike që nga fundi i diktaturës së gjeneralit Franko më 1975. Sipas ekspertëve, pjesëmarrja në referendum ishte 42,3%, një shifër që ngre pikëpyetje për vlefshmërinë e tij, pasi nuk mori pjesë as gjysma e popullsisë me të drejtë vote.