Botë
Greqi, refugjatët do të strehohen nëpër anije
02.10.2017 12:02
Qeveria greke po shqyrton përdorimin e anijeve që të strehojë refugjatët që mbërrijnë çdo ditë nëpër ishujt e vendit....

Këtë ka deklaruar zëvendës/ministri për politikën e emigracionit, Janis Balafas, duke argumentuar se kjo masë po shqyrtohet me qëllim që të lehtësohet situata tepër e rënduar në ishujt e detit Egje.
Qeveritari grek ka theksuar se nuk mund të lihet jashtë vëmendjes fakti se dy muajt e fundit ka patur sërish një rritje të ndjeshme të flukseve të refugjatëve dhe emigrantëve, të cilët mbërrijnë në brigjet greke të nisur kryesisht nga Turqia.
Refugjatët vendosen në qendrat e izolimit, në pritje të përgjigjes ndaj kërkesës për azil. Por në shumicën e këtyre qendrave ka aktualisht një numër dyfish më të madh nga sa lejojnë kapacitetit ekzistuese.
Ministri i Emigracionit, Janis Muzalas, deklaroi në parlament se kjo situatë e vështirë ka lidhje me rritjen e flukseve ditët e fundit, dhe shtoi se situata do të normalizohet brenda tre muajve të ardhshëm.
Tensionet në qendrat e izolimit janë të përditshme, ndërkohë që autoritetet e pushtetit vendor të ishujve ankohen vazhdimisht numri i madh i refugjatëve dhe emigrantëve ka krijuar probleme, me impakt edhe në industrinë e turizmit.
Prandaj dhe qeveria po mendon të shfrytëzojë për strehimin e refugjatëve tragete dhe anije kroçera, që tashmë kanë një volum pune më të kufizuar për shkak të mbylljes së sezonit veror.
Krahas përdorimit të anijeve, do të përshpejtohet edhe një program tjetër, që konsiston në pagesën e qirasë për banesa ku strehohen refugjatët. Bëhet fjalë për ata refugjatë që ndodhen në pritje të “rilokacionit” –vendosjes së tyre në një vend tjetër të Bashkimit Europian, një program që po ecën mjaft ngadalë.
Komisioni Europian deklaroi në fundjavë se do të disbursojë një fond prej 93,5 milionë eurosh, me qëllim që deri në fund të vitit të subvencionojë akomodimin në banesa të 30.000 refugjatëve.
Aktualisht në Greqi ka më shumë se 62.000 refugjatë që kanë mbërritur gjatë dy viteve të fundit. Ata vijnë kryesisht nga Siria, por edhe nga Iraku e Afganistani./Oranews
