Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, Zaevi: Vazhdon gazifikimi, ndërtojmë ujësjellësin

02.10.2017 15:28

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë zbarkoi mbrëmë në Kumanovë, ku prezantoi kandidatin për kryetar të Kumanovës dhe listën për këshillat komunalë...

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, para të pranishmëve tha se i tërë diversiteti që buron nga qytetarët e tubuar në sheshin e Kumanovës, paraqet simbolikë e unitetit dhe bashkimit, me ç’rast i vlerësoi si vlera që qytetarët i çojnë drejt progresit dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë. Sot kemi një shoqëri për të gjithë. “Të jeni krenarë ju kumanovarët si maqedonasit, shqiptarët, serbët, romët, boshnjakët dhe vllehtë, të gjithë ju që jeni nga Kumanova. Ju i mbajtët leksione Maqedonisë gjatë 26 viteve pavarësi. Ju përkulem juve, sepse është merita juaj që kemi një shoqëri për të gjithë, një Maqedoni multietnike”,- tha Zaev. Sipas tij, njëmbëdhjetë vitet e kaluara Qeveria e mëparshme nuk bëri asgjë për Kumanovën, “në këtë gjendje do ta ndryshojmë dhe do përkujdesemi për të gjithë qytetarët duke mundësuar edhe zhvillimin e kësaj komune dhe një ndër projektet që do vazhdojmë është gazifikimi”.
 
“Do ta vazhdojmë projektin e gazifikimit i cili deri më tani është realizuar 14 kilometra, me ç’rast janë kyçur objekte publike dhe filluan të kyçen edhe amvisëritë dhe objektet afariste. Ne do vazhdojmë punën aty ku kemi mbetur. Në mënyrë të drejtpërdrejtë do keni përkrahjen dhe ndihmën e shtetit për zgjidhjen definitive të problemit për ujësjellësin në Kumanovë. Kumanova nuk është jashtë Maqedonisë që deri më tani nuk i është dhënë ndihmë. Ujësjellësin prej 18 km që do ta bëjmë nga Kumanova deri në Likovë do e bëjmë së bashku Kumanova, me Qeverinë si partner”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Ndërkohë, kandidati për kryetar në Kumanovë nga radhët e LSDM-së, Maksim Dimitrievski, tha se do të punojë me përkushtim që kumanovarëve t’u mundësojë jetë më të mirë. Sipas tij, janë paraparë projekte të shumta, me ç’rast u përmend edhe ndërtimi i një shkolle të mesme në Kumanovë ku të gjithë, nxënësit pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, religjioze apo politike, do të mësojnë në kushte bashkëkohore.
 
“Dëshiroj që të punoj për ju dhe bashkërisht me ju nuk do të kursehem, do të shpenzoj tërë energjinë, diturinë dhe përvojën që kam si dhe me ndihmën e Qeverisë sonë, në radhët e së cilës kemi përfaqësues të lartë, të bëjmë më shumë për qytetin tonë. Deri më tani Kumanova është lënë anash nga qeveria e mëparshme, andaj ne do të bëjmë çmos të përmirësojmë kushtet për jetesë. Nëse shohim gjendjen aktuale do të konstatojmë se 650 fëmijë presin të regjistrohen në kopshte në Kumanovë, më lehtë është bërë që të regjistrohen në fakultet se sa në kopshte, andaj ne planifikojmë që të ndërtojmë menjëherë dy kopshte dhe të bëjmë rekonstruimin e kopshteve ekzistuese. Ne do të punojmë edhe për zgjidhjen e kaosit në komunikacion, me ç’rast planifikojmë edhe ndërtimin e garazheve për parkim. Në programin tonë kemi paraparë edhe ambiente të gjelbra me qëllim që të zgjedhim problemin me ndotjen e ambientit dhe rekonstruimin dhe ndërtimin e parqeve të reja. Do të zgjedhim problemin e mbeturinave përmes ndërtimit të deponisë rajonale dhe ky është projekt që parashihet të realizohet me të gjithë Komunat në rajon”,- tha kandidati për kryetar në Komunën e Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
 
Kumanovarët duhet të dalin masovikisht të votojnë në zgjedhjet lokale, duke përkrahur kandidatin e LSDM-së dhe koalicionit, porositi Zaevi nga Kumanova.
 
FLUTURA LATIFI