Zgjedhjet lokale 2017, BDI - vizioni për Komunën e Prespës

02.10.2017 17:43

Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdoi fushatën e saj zgjedhore në rajonin e Manastirit dhe Prespës....

Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdoi fushatën e saj zgjedhore në rajonin e Manastirit dhe Prespës.

Kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, u premtoi shqiptarëve të kësaj ane qasje më serioze në drejtim të avancimit të mëtejmë si në pushtetin vendor ashtu edhe në pushtetin qendror. Ai tha se BDI si subjekt në pushtet do të angazhohet për hapjen e tregut për pemëtarët dhe për pagesën në kohë të subvencioneve.

Ai kërkoi që elektorati t’u bëjë presion zyrtarëve gjatë gjithë mandatit për të zgjidhur problemet dhe për të realizuar premtimet.

Prespa është vendi ku nuk njihet për fabrika, por njihet për prodhimin e produkteve bujqësore, sidomos të mollëve dhe pemëtarisë. Sigurisht ne do përpiqemi që të krijojmë rrethana sa më të mira rreth koncesioneve, pagesave në kohë të subvencioneve, të krijohet treg dhe të zgjerohet tregu edhe përtej i Maqedonisë, por këto përgjegjësi sigurisht që janë  të nivelit qendror, por gjithmonë duke bërë shtytje edhe nga poshtë, për t’i zgjuar nga gjumi se mbase edhe mund të ketë ndonjë funksionar që vihet në gjumë dhe nuk e di se cilat janë kërkesat, por edhe fitimi qoftë për komunitetin por edhe për shtetin. Dhe, të kalben mollët apo produktet e pemëtarisë në këto hapësira dhe të mos gjendet treg nuk është e arsyeshme dhe nuk mund të arsyetohemi as si shtet por as edhe si pushtet lokal”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndërkaq, bartësi i listës për këshilltarë në Komunën e Prespës, Memet Hoxha, shprehu shqetësimin që degët e subjekteve politike shqiptare në këtë rajon nuk kanë rënë në ujdi për të dalë të unifikuar në këto zgjedhje. Ai ftoi votuesit shqiptarë, por jo vetëm, që të mbështesin listën e BDI-së për këshilltarë në këshillin komunal në Prespë.    

“Ju ftoj të bashkoni votën tuaj të fuqizoni listën tonë për këshill komunal duke na mundësuar faktorizimin, si strukturë e BDI-së, marrim obligimin para juve se do të kemi zyrën tonë për kontakt me qytetarët pas zgjedhjeve lokale, ku në vazhdimësi do të ndërtojmë listën e kërkesave në interes tuaj. Sa i përket bashkëpunimit me partitë e tjera shqiptare, për fat të keq, në Prespë për dallim nga Ohri dhe Manastiri që janë për t’u përshëndetur nuk u mbri të funksionojë ky bashkëpunim”,- tha bartësi i listës për Këshilltar në Prespë – BDI, Memet Hoxha.

Në tubin në Prespë, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, njoftoi elektoratin për marrëveshjen e bashkëpunim me LSDM-në, partner koalicioni në nivel qendror.

“Në këto zgjedhje ne kemi edhe një marrëveshje. Marrëveshjen e kemi me partnerin tonë që jemi bashkë në qeveri. Aty ku nuk kemi mundësi ne të realizojmë dhe të fitojmë kryetarin e komunës, i japim mbështetje partnerit tonë LSDM-së. Aty ku ata nuk kanë mundësinë për të fituar kryetarin e komunës si në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Çair, ato na mbështesin ne”,- theksoi Ahmeti.

Ai riaktualizoi idenë për kandidat konsensual për president të republikës. Sipas tij, bashkëpunimi me LSDM-në në zgjedhjet lokale është në favor të idesë për një kandidat konsensual në zgjedhjet presidenciale, që duhet të mbahen vitin tjetër. (Shpëtim Nuredini, TVM2)