Maqedoni
Gjykimi “Fortesa 2”, materialet e përgjimit janë djegur në Petrovec të Shkupit
02.10.2017 18:13
Materialet e përgjimit menjëherë pas publikimit të “bombave” të opozitës janë shkatërruar në bazën sekrete të quajtur “Brezë” në Petrovec të Shkupit...

Materialet e përgjimit menjëherë pas publikimit të “bombave” të opozitës janë shkatërruar në bazën sekrete të quajtur “Brezë” në Petrovec të Shkupit, deklaroi dëshmitari i punësuar në DSK në seancën gjyqësore për rastin “Fortesa 2”.
Ai tha se ka qenë dëshmitar i shkatërrimit, por nuk e ka ditur se për çfarë bëhet fjalë. Dëshmitari tha se Nikolla Boshkovski dhe Vanço Cvetanov ia kanë dhënë urdhrin për shkatërrimin e dokumenteve.
“Deklaratat e dëshmitarëve janë plotësisht në pajtueshmëri me akuzën, ata paraprakisht ishin të pyetur në PPS dhe deklaratat e tyre sot ishin plotësisht të besueshme me atë që ne e kemi si të dhënë”,- tha prokurorja e PPS-së, Lençe Ristovska.
Por, njëra nga të akuzuarat që është e nënshkruar si anëtare e Komisionit për shkatërrimin e materialeve në DSK, para gjykatës ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni se çfarë po nënshkruan.
PPS nga ana tjetër thotë se personi i njëjti në dëshminë e dhënë para PPS-së kishte thënë se ka parë plotësisht dokumentet dhe vërtetimet e nënshkruara.
Prokurorja, Lençe Ristovska, kërkoi që gjykata të vërtetojë arsyen se përse e akuzuara e ka ndryshuar deklaratën. Kërkesa nuk u pranua nga gjykata.
“Për dëshminë në PPS u deklaruam dhe atë e pranoi gjykata. Ajo deklaratë e dhënë në PPS nuk mund të përdoret si dëshmi në shqyrtimin kryesor, pasi që atje ka dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit ndërsa këtu është i akuzuar”,- u shpreh avokati mbrojtës, Lupço Shfrgovski.
Me kërkesë të PPS-së me qëllim plotësimin e dëshmive, gjykimi është shtyrë për më 6 nëntor.
Ndërkohë, gjykata vendosi që i akuzuari i parë për këtë rast, ish-shefi i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim, Goran Grujovski, i cili është në arrati, do të gjykohet në mungesë. Grujovski dhe Boshkovski nuk janë të kapshëm nga 18 korriku. Nga PPS ende nuk kanë njohuri nëse ekziston një kërkesë zyrtare nga Prokuroria Themelore lidhur me dëshmitë e shumëpërfolura për rastin “Monstra”.
Lençe Ristovska tha se rasti është akoma në procedurë parahetimore.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
