Sot dhe nesër regjistrimi në shkollat e mesme
Si çdo vit, interesimi më i madh i nxënësve për tu regjistruar është në gjimnaze, shkollat e mesme ekonomike dhe në mjekësi.........

Sot dhe nesër mbahet regjistrimi i nxënësve në shkollat e mesme të vendit. Për vitin shkollor 2014-2015 është shpallur konkurs për 35 mijë e 195 nxënës, 9 mijë e 600 prej të cilëve do të jenë me mësim në gjuhën shqipe.
Si çdo vit, interesimi më i madh i nxënësve për tu regjistruar është në gjimnaze, shkollat e mesme ekonomike dhe në mjekësi.
Në shkollën e mesme “Zef Lush Marku” në Shkup, vërehej sot interesimi jashtëzakonisht i madh.
Në këtë shkollë është hapur konkurs për 612 nxënës, ndërsa vetëm gjatë ditës së sotme në drejtimin gjimnaz i përgjithshëm janë paraqitur afër 800 nxënës, ndërsa në atë të mjekësisë rreth 150 nxënës.
“Në gjimnazin e “Zef Lush Markut” pranohen gjithsej 18 paralele, ku 14 paralele janë gjimnaz dhe 4 paralele janë në drejtimin e mjekësisë, ku dy prej këtyre janë motër medicinale, një teknikë dhëmbësh dhe një farmaci. Gjithsej numri i nxënësve është 612 nxënës që pranohen në gjimnazin “Zef Lush Marku”, në drejtimin e gjimnazit pranohen diku 473 nxënës, ndërsa në drejtimin e mjekësisë 134 nxënës”, deklaroi drejtori i shkollës së mesme “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri.
Aplikantët thonë se janë përcaktuar për tu regjistruar në “Zef Lush Mark”, sepse u pëlqejnë drejtimet e saj dhe shpresojnë se në të ardhmen do të regjistrohen në fakultet.
“E kam zgjedh se kam dashtë në gjimnaz me hy, në drejtim të përgjithshëm”, u shpreh një nxënës.
“Pasi ta mbaroj këtë shkollë, kam fakultet me kry diçka”, potencoi një nxënës.
Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve, Nuhi Dardhishta, me këtë rast apelon te nxënësit dhe prindërit që të regjistrohen edhe në drejtimet tjera profesionale, pasi në 18 shkolla të kryeqendrës janë paraparë paralele me mësim në gjuhën shqipe.
“Apeli ynë është i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë, që sa më shumë të konkurrojnë në drejtimet profesionale, sepse ne kemi 18 shkolla të mesme në qytetin e Shkupit, ku ka vende të lira për nxënësit shqiptarë, d. m. th. paralele në gjuhën shqipe, le të konkurrojnë atje, mos të konkurrojnë vetëm në gjimnazin “Zef Lush Marku” apo “Cvetan Dimov”, të bëjnë presion atje ku nuk e kanë vendin nxënësit, ndoshta suksesin e kanë, por cilësia e tyre nuk është për në gjimnaz”, theksoi kryetari i LASH-it, Nuhi Dardhishta.
Rezultatet e afatit të parë do të publikohen më 25 qershor. Për ata që nuk do të arrijnë të regjistrohen në këtë afat, do të ketë edhe afat të dytë më 30 qershor dhe 1 korrik, ndërsa do të ketë edhe afat shtesë në muajin gusht. (Vlora LATIFI-TOPOJANI, TVM2)
