Botë
Masakra në Las Vegas, ende të paqarta motivet e sulmit
03.10.2017 09:58
Forcat e rendit gjetën 23 pushkë automatike në dhomën e 64-vjeçarit, Stephen Paddock...

Forcat e rendit gjetën 23 pushkë automatike në dhomën e 64-vjeçarit, Stephen Paddock, dhe 19 armë të tjera zjarri dhe eksplozivë në banesën e tij, shumica të blera në dyqan, por sërish nuk arrijnë ta identifikojnë dot motivin e gjestit ekstrem.
Hetuesit nuk gjurmojnë asnjë lidhje mes vrasësit dhe terrorizmit ndërkombëtar, pavarësisht pretendimeve të “Shtetit Islamik” se Paddock e kreu sulmin në emër të tij, pasi kishte përqafuar fenë islame dhe kishte shprehur besnikëri ndaj kësaj organizate ditë më parë. Padok nuk është ndëshkuar asnjëherë qoftë edhe me ndonjë gjobë trafiku rrugor.
I vëllai këmbëngul se nuk ka ekzistuar asnjë dosje penale, as trajnim ushtarak e as lidhje me ndonjë grupim politik apo fetar.
Gjithë çfarë dihet për momentin është se bëhet fjalë për një njeri tejet të dhënë pas kumarit. Padok është djali i një grabitësi bankash që u arratis nga burgu dhe e kaloi pjesën më të madhe të viteve ‘70 në listën e më të kërkuarve të FBI-së, i konsideruar madje si shumë i rrezikshëm.
MIGENA GORENCA
