Maqedoni

Shuto Orizare, përleshje mes dy grupeve, lëndohet Elvis Bajram

03.10.2017 11:14

Në komunën e Shuto Orizarës pasditen e djeshme ka ndodhur rrahje mes dy grupeve, ku ka qenë i përfshirë edhe kryetari aktual i komunës, Elvis Bajram...

Policia konfirmoi incidentin, por nuk ka dhënë më shumë detaje. Ndërsa kryetari aktual dhe kandidati për kryetar të kësaj komune si pjesë e koalicionit me VMRO-DPMNE-në, Elvis Bajram, pasi mori lëndime u dërgua në Spitalin e përgjithshëm të qytetit "8 Shtatori".
 
Deputeti, Amdi Bajram, ka dënuar ashpër dhunën fizike ndaj djalit të tij dhe ka deklaruar se pas sulmit qëndrojnë përkrahësit e LSDM-së. Ai kërkon nga MPB-ja që të zbardhë rastin dhe t'i nxjerrë fajtorët para drejtësisë. LSDM e ka dënuar sulmin ndaj Elvis Bajram duke theksuar se dhuna është e patolerueshme dhe kërkon nga institucionet të zbardhin rastin.
 
LSDM, gjithashtu, iu bën thirrje gjithë qytetarëve dhe subjekteve politike të mos bien në provokime dhe të jenë të vetëdijshëm për realizimin e zgjedhjeve fer, demokratike dhe të lira. Ka reaguar edhe Qendra për liri – “Civil”, nga e cila thonë se pa dallim nëse hetimet vërtetojnë prapavijë politike ose kriminale, dhuna është e papranueshme. Edhe pse ekipet monitoruese të “Civilit” jozyrtarisht mësojnë se bëhet fjalë për llogari kriminale edhe në rastin e Kërçovës dhe në rastin e Shuto Orizares, simptomatike është fakti pasi bëhet fjalë për kandidat për kryetar dhe këshilltar komunal.
 
“Dhuna në kohën e zgjedhjeve, pa marrë parasysh motivet, e rrënon karakterin demokratik në proceset zgjedhore dhe vendos në pikëpyetje themelet e shoqërisë dhe shtetit. Asnjëherë diçka e mirë nuk mund të dalë nga dhuna, përveç humbjeve tragjike të jetës, frikës dhe kaosit”,- thuhet në njoftimin e “Civilit”.