Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, BDI - vizioni për Vrapçishtin dhe Bogovinën
03.10.2017 12:17
BDI prezantoi ofertën e saj zgjedhore para banorëve të komunës së Vrapçishtit dhe Bogovinës...

Në fjalën e tij para banorëve të komunës së Vrapçishtit, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se në partinë e tij ka vlera të cilat mund të japin kontribut të madh në zhvillimin e kësaj komune.
Duke u përqendruar në situatën aktuale dhe qëndrimin e faktorit ndërkombëtar karshi saj, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se tani komuniteti ndërkombëtar po i del në mbështetje Qeverisë reformatore duke ofruar ndihma konkrete të cilat do të menaxhohen nga kryetarët e ardhshëm të komunave.
“Nga menaxhimi i suksesshëm i kësaj krize, i tëri komuniteti ndërkombëtar ka ndryshuar mendimet, ofron ndihma, ofron të gjitha ato mjete për të cilat ka pasur angazhim edhe në të kaluarën dhe tani do të jenë në menaxhim të kryetarëve të ardhshëm të komunave që do të zgjidhen më 15 tetor”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Kandidati i BDI-së në Vrapçisht, Gajur Rushiti, siguroi se falë projekteve dobiprurëse për të gjitha vendbanimet e kësaj ane, por dhe mbështetjes së fuqishme të partisë dhe të votuesve, do t’ia dalë që më 15 tetor të shtojë edhe një fitore të njëpasnjëshme të BDI-së në Vrapçisht.
“Programi ynë në këtë mandat është bazuar në bazë të kërkesave dhe nevojave të të gjithë këshillave vendorë dhe vendbanimeve të komunës së Vrapçishtit. Do të punoj në drejtim të përkrahjes së turizmit malor, që malin Sharr ta bëjmë destinacion turistik, si dhe shumë projekte tjera të cilat do të paraqiten në vazhdimësi si nevojë e krijimit të kushteve sa më të mira për qytetarët tanë”,- u shpreh kandidati për kandidat për Komunën e Vrapçishtës – BDI, Gajur Rushiti.
BDI prezantoi ofertën e saj edhe para banorëve të Bogovinës, ku kandidati për kryetar të Komunës së Bogovinës, Berzah Bejtullahu, theksoi se programin e tij e ka hartuar në konsultime me banorët e Bogovinës. Ai tha se do të vazhdojë fuqishëm të realizojë programin e hartuar, të cilin e quajti kontratë me qytetarët.
“Është koha, me të vërtetë, sepse vendbanimet tona po i ngjajnë një qyteze, ne t’ia fillojmë prej diku, sepse në tetë vendbanimet e Komunës së Bogovinës veç më i kemi projektet e gatshme, projektin e kanalizimit fekal, nevojat e qytetarëve për këtë projekt janë shumë të mëdha, andaj unë u siguroj se këtë projekt do ta fillojmë”,- tha kandidati për Komunën e Bogovinës – BDI, Berzah Bejtullahu.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, shprehu bindjen se Berzah Bejtullahu dhe këshilltarët e kësaj partie në Bogovinë do të vazhdojnë rrugën e kreut të ndjerë të komunës, Hazbi Idrizi, për të cilin tha se ishte arkitekt i kësaj komune.
ERSAN PAJAZITI
