Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, Partia Aleanca për Shqiptarët - vizioni për Reçicën
03.10.2017 12:50
Kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës nga Partia Aleanca për Shqiptarët, Adnan Neziri...

Kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës nga Partia Aleanca për Shqiptarët, Adnan Neziri, ka vizituar Reçicën e Madhe ku ka realizuar takime me banorët për t’i dëgjuar kërkesat e tyre, si dhe i ka njoftuar ata me ofertën e tij për Reçicën dhe qytetin e Tetovës në përgjithësi. Ai ka premtuar ndërtimin e një shkolle të re fillore, pasi, siç tha ai, aktualisht nxënësit në Shkollën “Naim Frashëri” mësojnë në tre ndërrime, prandaj edhe mungon cilësia në arsim.
“Ne si strukturë kemi prioritet, ka kapacitete Tetova, ka kapacitete kjo shoqëri, të ndërtojë një shkollë, e cila nuk është shumë e kushtueshme. Në pjesën afër sallës mund të bëhet një objekt për aktivitete sportive, ku qytetarët në kohën e lirë mund të bëjnë aktivitete plotësuese, besoj se disa investime shumë të vogla mund ta adaptojnë atë. Ne besojmë bashkë me ju, t’i ndjejmë problemet me ju, të jemi pjesë e problemeve me ju, me shumë pak mundësi financiare, me shumë pak intervenime, vetëm me vullnet të mirë të realizojmë punë shumë më të mira”,- deklaroi kandidati i ASH-së për kryetar të Tetovës, Adnan Neziri.
Kandidati i Aleancës për Shqiptarët, Adnan Neziri, kritikoi punën e kryetares së deritanishme të Tetovës, Teuta Arifi, por edhe të qeverisë së kaluar, e cila, siç tha ai “ka shpenzuar paratë për projekte të kota, si “Shkupi 2014”, në vend të investimeve për krijimin e kushteve më të mira në arsim dhe kushteve tjera për të cilat kanë nevojë të rinjtë”.
Krahas mbështetjes së kandidatin për kryetar të Tetovës, mbështetjen e banorëve të Reçicës e kërkoi edhe bartësi i listës për këshilltarë, Arif Selami, i cili premtoi angazhimin e këshilltarëve komunalë të kësaj partie në mbështetje të iniciativave të banorëve në Reçicë dhe tetovarëve në përgjithësi.
GYLTENE SINANI
