Rrahja e Elvis Bajramit, 5 persona në pyetje në MPB

03.10.2017 15:58

Policia ka marrë në pyetje pesë persona në lidhje me rrahjen e kandidatit për kryetar të komunës së Shuto Orizares....

Policia ka marrë në pyetje pesë persona në lidhje me rrahjen e kandidatit për kryetar të komunës së Shuto Orizares, Elvis Bajram. Nga MPB thonë se janë marrë masa për zbardhjen e rastit.

“MPB dënon rëndë të gjitha format e dhunës, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore. Procesi zgjedhor është menduar për prezantimin e kandidatëve dhe programeve të tyre dhe Ministria beson se kjo është mënyra e vetme përmes së cilës qytetarët do të njoftohen me pjesëmarrësit në procesin zgjedhor. Çdo përpjekje për prishje të procesit zgjedhor dhe zhvillimit të tij në mënyrë demokratike si dhe çdo përpjekje për rrezikim të sigurisë së qytetarëve do të sanksionohet”,- thonë nga MPB.

INCIDENTET ZGJEDHORE, KE: PARTITË TË SILLEN ME PËRGJEGJËSI

Rreth incidenteve ka reaguar edhe Komisioni Europian. Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijançiç, kërkoi nga qeveria aktuale dhe gjitha institucionet, të krijojnë kushte për zgjedhje të lira.

“Para zgjedhjeve në vend, ne inkurajojmë të gjithë përfaqësuesit e partive politike të veprojnë me përgjegjësi. Gjithashtu u kërkojmë të gjitha institucioneve të mundësojnë kushte për proces zgjedhor të besueshëm dhe transparent, i cili do t’u mundësojë qytetarëve, që të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike”,- tha Kocijançiç.

KSHZ: PARTITË NËNSHKRUAN KODEKSIN, TA RESPEKTOJNË

Edhe kreu i KShZ-së, Çiçakovski, doli me apel drejtuar partive politike që në mënyrë urgjente të ndërpresin incidentet.

Dhuna u sjell dëm kandidatëve, partive dhe vetë procesit zgjedhor, porositi Çiçakovski, duke u përkujtuar partive dhe kandidatëve se kanë nënshkruar një kodeks për zgjedhje korrekte e demokratike e se do të respektojnë principet demokratike.

Nga KShZ presin që institucionet kompetente të zbardhin rastet e dhunës e të dënojnë fajtorët. (Gazmend Rexhepi, TVM2)