Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, Lëvizja BESA - vizioni për Komunën e Dollnenit
03.10.2017 16:17
Lëvizja BESA mbrëmë ka realizuar tubim qendror me banorët e zonave të Dollnenit....

Kandidati i Lëvizjes BESA për kryetar komune, Ismet Qamili, me këtë rast u zotua se ekipi i BESËS do të përkushtohet maksimalisht që të ndryshojë jetën e qytetarëve të Dollnenit dhe se do të jenë në shërbim tyre.
Riparimi i shkollave, zgjidhja e problemit të ujit, përfundimi i rrjetit të kanalizimit, puna shëndetësore në ambulancë, investimet në bujqësi janë disa nga pikat e projektit që BESA ka paraparë për këtë rajon, premtoi kandidati i BESËS, Ismet Qamili.
“Edhe sot e kësaj dite banorët e Dollnenit kanë mungesë të nevojave elementare. Banorë të Cërnilishtës, duke e parë nevojën që të përmirësohet ky vendbanim sa më shpejtë, mora përsipër një përgjegjësi të madhe si dhe me kërkesën tuaj, të kandidohem për kryetar në komunën e Dollnenit. 15 vite të humbura pa asnjë investim, pa asnjë projekt të realizuar në këtë fshat nga pushteti aktual. Banorë të Cernilishtës, jetojmë në shekullin XXI dhe ende merremi me ujin e pijshëm. Në këtë gjendje e dini kush na ka sjellë, partia në pushtet. Dhe përsëri kërkojnë mbështetjen tonë duke parë në çfarë gjendje ka mbet Dollneni, prandaj ne duhet njëherë e përgjithmonë t’ju themi atyre mjaft mashtrimeve dhe premtimeve të zbrazëta. Unë si kandidat i juaj kërkoj mbështetjen që në katër vitet e ardhshme me ide dhe punë, ta bëjmë një hapërim drejt një faqeje të re për banorët e Dollnenit. Ju premtoj se do të angazhohem maksimalisht dhe do ta zgjedh problemin e ujit të pijshëm njëherë e përgjithmonë. Ju premtoj se do ta përfundoj rrjetin e kanalizimit të lënë pasdore deri më tash”,- u shpreh kandidati për kryetar në Dollnen nga Lëvizja BESA, Ismet Qamili.
Besa dëshiron të krijojë një politikbërje ndryshe nga të tjerët, me kapacitet moral, intelektual dhe ideor në Dollnen, tha anëtari i kryesisë së Besës, Skender Rexhepi. Rexhepi kërkoi nga banorët e Dollnenit që të përkrahin cilindo kandidat nga parti shqiptare politike, por siç tha ai, jo për shkak të interesave të vetme personale por të votojë kandidatin tek i cili ka besim dhe bindje që si e para do të rregulloj ardhmërinë e fëmijëve dhe do të ndryshojë Dollnenin e harruar plot 15 vite.
“Derisa i shoh këta fëmijë këtu, u them se nuk është e drejtë njerëzore që fëmijët tanë të qëndrojnë afër nesh në fushatë zgjedhore. Nuk është e drejtë demokratike që fëmijët tanë të jenë pjesë e fushatave zgjedhore, fatkeqësia e 15 viteve në pushtet që nuk ju kanë mundësuar këtyre fëmijëve çerdhe, nuk ju kanë mundësuar këtyre fëmije të kenë vende për lojëra, fusha sportive ku do ta kalojnë kohën e lirë, ata të gjorët mendojnë se loja bëhet këtu. Fatkeqësisht këtu bëhen punë të mëdha të cilat me ardhjen e Ismetit në krye të komunës së Dollnenit do t’u sigurojë lojëra fëmijëve, nuk do të lejojë që ata të politizohen”,- tha anëtari i kryesisë së Lëvizjes BESA, Skender Rexhepi.
BESA në Dollnen premtoi një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike apo fetare. “BESA në Dollnen do të dëgjojë hallet e të gjithë banorë të këtij rajoni dhe me ardhjen e Lëvizjes BESA në krye të komunës do të jenë evidente ndryshimet”,- theksuan folësit e Lëvizjes BESA në Cernilisht të Dollnenit.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
