Prokurorja dhe mbrojtja: Rasti “Monstra” të rikthehet në rigjykim, Avokatët e familjeve të dëmtuara: Të gjenden fajtorët e vërtetë të rastit

03.10.2017 17:34

Pas shumë anulimeve, përfundimisht në Gjykatën Supreme është mbajtur seanca publike për rastin “Monstra”....

Pas shumë anulimeve, përfundimisht në Gjykatën Supreme është mbajtur seanca publike për rastin “Monstra”.

Prokurorja, Liljana Spasovska, i ka kërkuar trupit gjykues që t’i shfuqizojë vendimet e shkallës së parë dhe asaj të Apelit për dënimet me burg të përjetshëm dhe të kthejë lëndën në rigjykim. Spasovska thotë se vendimi i Gjykatës Supreme duhet të tregojë siguri juridike për qytetarët, pasi, sipas saj, në këtë rast është shkelur e drejta e mbrojtjes.

Ajo thotë se obligim i Gjykatës është të heq dyshimin për besueshmërinë e dëshmive duke aluduar në sigurimin e dëshmive nga video-incizimet e dala nga përgjimet. Mbrojtja, ndërkohë, akuzon se në gjykimin paraprak iu mohua e drejta për mbrojtje dhe nuk iu dha qasje në dëshmitë materiale, që për gjykatën dhe prokurorinë ishin kruciale.

“Kjo lëndë të rikthehet nga e para dhe të zbardhet. Tani për tani jemi optimistë që kjo do të ndodhë, por është në vendim të Këshillit të Gjykatës Supreme nëse do të rikthehet lënda, por mendojmë se pas propozimit të prokurorisë dhe analizës që u bë sot dhe posaçërisht gjykatësit që e referoj këtë lëndë, mendoj që më do të zbardhet ky rast i montuar dhe me rikthim të kësaj lënde do të vijë e vërteta”,- theksoi avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Edhe avokatja e palës së dëmtuar, Dafinka Ivanova, kërkon që të gjinden kryerësit e kësaj vepre kështu duke shprehur pakënaqësi në mënyrën e impelemtimit të Ligjit në gjykimet e mëhershme.

“Nuk është mirë që dikush i pafajshëm të qëndrojë në burg, nuk është mirë nëse të dëmtuarit, gjegjësit familjet t’i humbin fëmijët e tyre, megjithatë duhet të gjinden kryerësit e vërtetë. Dua të them se këto gjykata të Maqedonisë, si Gjykata Themelore ashtu edha ajo e Apelit, kishin qasje dhe zbatim të ndryshëm të ligjit”,- tha avokatja e palës së dëmtuar, Dafinka Ivanova.

Edhe të akuzuarit, Fejzi Aziri, Haki Azir, Sami Luta dhe Agim Ismailoviq, para trupit gjykues deklaruan se janë të pafajshëm dhe kërkuan lirim nga akuza. Nga Gjykata Supreme njoftuan se do ta informojnë me shkrim publikun për vendimin e marrë lidhur me këtë rast. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)