Zgjedhjet lokale 2017, LSDM prezanton vizionin për Velesin

03.10.2017 17:52

LSDM-ja vazhdoi fushatën zgjedhore në Shën Nikollë dhe Veles....

LSDM-ja vazhdoi fushatën zgjedhore në Shën Nikollë dhe Veles. Kreu i kësaj partie, Zoran Zaev, kërkoi votën e elektoratit në këto dy komuna për t’i shndërruar vendbanimet e tyre në, siç tha, tregime të suksesshme dhe t’i mbajë leksion ekonomik rivalit politik.

Zaevi tha se vazhdon me konceptin e kthimit të parave te qytetarët, për të rritur buxhetin familjar. Sipas tij, decentralizimi i pushtetit nënkupton se vendimet e pushtetit lokal janë më afër qytetarit dhe paratë duhet të orientohen atje ku duan qytetarët. 

“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Përmes zgjedhjes së kryetarëve të komunave dhe këshillave komunalë do të merrni vendim se në cilin drejtim do të lëviz Maqedonia. Dhe kjo është e qartë si dita. Zgjedhjet janë të rëndësishme për shkak të rëndësisë që ka komuna në jetën e përditshme të familjeve dhe çdo qytetari në komunë. Jam i bindur se pjesa më e madhe nga ju e dinë se jeta e jonë është e lidhur ngushtë  me kompetencat e komunës. Nën kompetencë të komunave janë çerdhet, shkollat fillore dhe të mesme, ndërmarrjet komunale si higjiena, ujësjellësi, kanalizimi dhe infrastruktura urbane. Nën kompetencë të komunave janë varrezat, tregjet, rrugicat dhe trotuaret, ndriçimi rrugor, zjarrfikësit, bibliotekat, objektet sportive dhe shumë të tjera. Prandaj është shumë me rëndësi se si do të votoni dhe në ç’drejtim do ta orientojmë vetëqeverisjen lokale”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Ndërkaq, kandidati i LSDM-së për kryetar të Komunës së Velesit, Ace Kocevski, akuzoi qeverisjen aktuale se ka rrënuar komunën duke e fut në borxhe, ndërsa administrata është mbingarkuar me kuadro partiake. Në ndërkohë, paraqiti vizionin e tij për Velesin.   

“Rreth një dekade Velesi nuk është komunë e suksesshme, përkundrazi nga më e mira u bë komunë mesatare, e ngarkuar me mijëra probleme dhe çështje të pazgjidhura. Me borxhe deri në fyt, rreth tre milionë euro, për shkak të shpenzimit të parave të popullit dhe korrupsionit duke e varrosur kështu stabilitetin financiar të komunës. Me punësime të tepërta në komunë dhe ndërmarrjen komunale “Deren”, jo me kuadro kompetente por me kuadro partiake të paaftë. Velesi është i papastër, i parregulluar, plot me mbetje komunale, u mundur dhe pa perspektivë. Velesi zbrazet pasi shumë bashkëqytetarë bashkë me familjet e tyre migruan në kërkim të një jete më të mirë. Prandaj, dua t’u shërbej dhe me dijen dhe përvojën time të ndihmojë që t’i kthejmë punët për të mirë. Ndryshimi është nevojshëm dhe I domosdoshëm. Vizioni im është që Velesi të jetë komunë e bukur dhe e dëshiruar për jetesë ku fëmijët tanë, gjeneratat e reja do ta ndërtojnë të tashmen dhe të ardhmen. Komunë të zhvilluar dhe me prosperitet, ku qytetarët do të jenë në qendër të vëmendjes. Komunë evropiane, e hapur, me vlera të larta për jetë me dinjitet”,- tha kandidati për kryetar të Velesit, Ace Kocevski.

Karvani i LSDM-së ndaloi edhe në Shën Nikollë, ku kreu i kësaj partie, Zoran Zaev, kërkoi nga votuesit që të mos lejojnë që komuna e tyre të mbahet peng nga rivali politik, duke e quajtur qeverisjen e VMRO-DPMNE-së regjim. “Pas 11 vjet regjim, Maqedonia është financiarisht stabile dhe kemi filluar me zbatimin e masave socio-ekonomike”, tha Zaev, duke sqaruar se gjatë qeverisjes së tij janë kursyer 45 milionë euro, që nënkuptojnë dhjetëfishin e buxhetit të kësaj komune.

Ai ftoi votuesit e Shën Nikollës dhe ata të Velesit që në 15 tetor të rrethojnë numrin 19, për jetë në Maqedoni. (Shpëtim Nuredini, TVM2)