Zgjedhjet lokale 2017, BDI shpalos programin në Zhelinë dhe Jegunovc

04.10.2017 14:11

“Do të vazhdojmë me investimet aty ku kemi ngelur”....

“Do të vazhdojmë me investimet aty ku kemi ngelur”. Kështu u premtoi kandidati për kryetar nga BDI për Komunën e Zhelinës, Fatmir Izairi.

Ai gjatë shpalosjes së programit të tij numëroi projektet e realizuara deri tani dhe ato të cilat i ka parashikuar që të realizohen në mandatin e tij nëse fiton mbështetjen e kësaj komune.

“18.5 milion euro investime në total, rreth 8.1 milion euro për kanalizime dhe ujësjellës, rrjet kanalizimi për 7 vendbanime të Dërvendit, ujë të pijshëm për çdo shtëpi, 6 milion euro për infrastrukturën rrugore, 2.8 milion euro investime në arsim dhe sport, dy shkolla të reja, gjashtë shkolla të rikonstruohen, dy salla sporti, dy kënde lojërash, një çerdhe për fëmijë, 1.4 milion euro investime për mjedis, përkujdesje sociale dhe shëndetësi”,- deklaroi kandidati për kryetar komune në Zhelinë, Fatmir Izairi.

Bartësi i listës për Këshillin komunal në Zhelinë, Bedri Fazliu, para të pranishmëve u zotua se do të realizojnë projektet e hartuara në programin për komunën.

Ndërkohë  kreu i  BDI-së ftoi banorët e Zhelinës që të mbështesin kandidatin e BDI-së edhe për një mandat me qëllim që të vazhdojnë projektet në dobi për vetë ata. Ai tha se Fatmiri është një nga ata që di mirë të thith investimet për zhvillimin e komunës.

“Komuna e Zhelinës në tërësi me të gjitha vendbanimet, e them sinqerisht, që Fatmir Izairi ka nevojë edhe për një mandat që përfundimisht shumë punë të nisura edhe t’i përmbyll me sukses. Fatmiri është një menaxhues i mirë, ai është një njohës i mirë. Nga Fatmiri nuk përfiton vetëm Zhelina, përfitojnë edhe të tjerët me kontributin dhe njohuritë e tij”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Karvani i BDI-së nga Zhelina shpalosi programin para banorëve të Komunës së Jegunovcit, ku u prezantuan kandidati për kryetar dhe lista për këshilltarë komunal.

“Na mbetet punë dhe t’i realizojmë ato që i premtojmë. E dimë si janë rrugët në komunën tonë, e dimë si është sistemi i ujësjellësit, d.m.th. problemet kyçe që i kemi, por me kalimin e kohës në qoftë se e fitojmë kryetarin e komunës, ndoshta e para herë do të jetë kryetar shqiptar, ne besojmë se ato do t’i realizojmë”,- u shpreh kandidati për kryetar komune në Jegunovc, Orhan Amiti.

Bartësi i listës për këshillin në Komunën e Jegunovcit, Orhan Sabriu, para banorëve të kësaj komune numëroi projektet e realizuara në mandatin e shkuar, ndërkaq premtoi se në mandatin e ardhshëm katërvjeçar do të angazhohet për një infrastrukturë më të mirë rrugore, organizim kulturor dhe sportiv në këtë komunë.

Banorëve të Jegunovcit iu drejtua edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Atyre ai u premtoi mbështetje institucionale për realizimin e programit të kandidatëve. (Naim Ramadani, TVM2)