Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, VMRO: Vizioni për Kumanovën dhe Gjorçen

04.10.2017 16:49

VMRO-DPMNE-ja opozitare mbrëmë mbajti tubimet e saj në qytetin e Kumanovës dhe në Komunën e Gjorçe Petrovit...

Me këtë rast, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, premtoi se kandidati i tyre për kryetar do të ndërtojë një zonë industriale në Kumanovë. Gruevski gjithashtu premtoi se do të rikonstruohen edhe shumë rrugë lokale në qytetin e Kumanovës. Sipas tij, planifikohet ndërtimi i kanalizimit fekal në fshatin Rramanli, Novo Sellë, Lubidrag, Tromegjë dhe në lagjet Ivo Triçkoviq dhe Ajduçka Çeshma.
 
Ai mes tjerash lavdëroi tej mase edhe kandidatin e tij për qytetin e Kumanovës, duke theksuar se Gjorgievski është garanci se të gjitha pikat e programit zgjedhor do të realizohen. Qëllimi i VMRO-DPMNE-së do të fillojë të realizohet nga 15 tetori, që nënkupton datën kur do të fillojë era e re në Maqedoni.
 
“Era e re nënkupton 150 mijë punësime të reja në Maqedoni. Ashtu siç hapëm 173 mijë vende pune gjatë dekadës së kaluar, mund lirisht të premtojmë se në dekadën e ardhshme do të hapim 150 mijë vende të reja të punës. Era e re nënkupton uljen e papunësisë në 10 për qind në Maqedoni,që nënkupton edhe uljen e papunësisë në vend. Era e re nënkupton po ashtu papunësinë e ulur dyfish për të rinjtë dhe ndihma ndaj tyre që të sigurojnë kulm mbi kokë .Era e re nënkupton për 4 për qind rritje të bruto prodhimit vendor gjatë dekadës së ardhshme dhe dy here e gjysmë të ardhura më të mëdha për kokë banori”,- u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
Ndërkohë, kandidati për kryetar në Kumanovë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Zoran Gjeorgjievski, premtoi shumë projekte konkrete përmes të cilave VMRO-DPMNE kërkon besimin e qytetarëve dhe votim sa më masiv.
 
“Projekt për katër vitet e ardhshme është para së gjithash të punojmë me përkushtim që Kumanova të jetë qytet pa baltë, kjo është një punë që duhet punuar në kontinuitet për katër vite me radhë dhe jo për tre muaj të fillohet dhe të lihen punët e papërfunduara në tërësi. Për katër vite me radhë punë të palodhshme që të arrimë të rregullojmë infrastrukturën,kanalizimin atmosferik dhe atë fekal si dhe ujësjellësin. Po ashtu do të punoj edhe për asfaltimin e të gjithë rrugëve për katër vitet që vijojnë andaj kërkoj besimin tuaj sepse të gjitha këto projekte do realizohen me ndihmën e VMRO-DPMNE-së”,- theksoi kandidati për kryetar komune në Kumanovë nga VMRO-DPMNE, Zoran Gjeorgjievski. 
 
Ndërkohë kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar në Komunën e Gjorçe Petrovit tha se VMRO-DPMNE do jetë fituese dhe informoi qytetarët se është djegur shtëpia e tij, por fatmirësisht ka vetëm dëm material.
 
“Unë jam sot shumë njeri i lumtur. Prindërit e mi janë gjallë dhe shëndosh dhe kam shumë miq. Ajo është vlerë që nuk ka çmim. Vetëm snajperët do më ndalojnë, por as ata nuk do më ndalojnë. Komuna e Gjorçe Petrovit do të fitojë, do të fitojë lista e këshilltarëve, do të fitojë qyteti i Shkupit dhe VMRO-DPMNE, do të fitojë në tërë Maqedoninë. Kundërshtarët tanë politik kanë vetëm tre projekte dhe ato janë ajër dhe mjegull. Më 15 tetor ata do të përjetojnë debakël të rëndë dhe këtë ua premtoj unë nga Komuna e Gjorçe Petrovit”,- deklaroi kandidati për kryetar komune në Gjorçe Petrov nga VMRO-DPMNE, Vllado Misajllovkski. 
 
“Në Komunën e Gjorçe Petrovit do vazhdojë edhe projekti i gazifikimit, do të ndërtohet parku modern, andaj votoni VMRO-DPMNE-në e cila do sigurojë zgjidhjen e të gjitha problemeve” u tha me këtë rast.
 
FLUTURA LATIFI