Seanca e Këshillit gjyqësor, mungesa e transportit nëpër burgje kërkon zgjidhje

04.10.2017 17:22

Mungesa e transportit në burgjet e vendit për sjelljen e të burgosurve në seancat gjyqësore....

Mungesa e transportit në burgjet e vendit për sjelljen e të burgosurve në seancat gjyqësore, rezulton me anulimin e rreth 50% të seancave gjyqësore.

Kështu ka deklaruar anëtarja e Këshillit gjyqësor, Aleksandra Zafirovska, gjatë diskutimit rreth kësaj problematike, duke theksuar se gjendja është alarmante në Gjykatën Penale në Shkup. Numri më i madh i lëndëve më të vjetra nga 7 deri në 10 vjet gjendet në këtë gjykatë dhe nuk mund t’i zgjidhin, pasi nuk ka koordinim për sjelljen e të burgosurve, tha ajo.

“Mund të konstatohet se në të gjitha gjykatat në Maqedoni ka problem rreth sjelljes së këtyre personave në gjykatë, stërzgjatjes së procesit pa arsye dhe anulimin e seancave. Lëndë të caktuara edhe nga 15 ose 17 herë anulohen për shkak të mossjelljes së të burgosurve ose të paraburgosurve”,- deklaroi anëtarja e Këshillit gjyqësor, Alekandra Zafirofska.

SEANCA E KËSHILLIT GJYQËSOR, GJYKATËSIT POROTË KËRKOJNË 500 DENARË PËR NJË GJYKIM

Anëtarët e Këshillit kërkuan takim me ministrin e drejtësisë, ministrin e financave dhe drejtorin për ekzekutimin e sanksioneve që të gjendet zgjidhje e këtij problemi. Nga ana tjetër, gjykatësit porotë kërkojnë rritjen e shumës së pagës që marrin për një gjykim. Ata kërkojnë 500 denarë nga një gjykim, në të kundërtën paralajmërojnë grevë.

“Pajtohem, edhe unë ashtu mendoj, se gjithsesi duhet të jetë edhe ministri i financave, pasi që i gjithë shteti, gjithë rregullativa ligjore dhe funksionimi i buxhetit tonë për punë të ndryshme gjyqësore varet në mënyrë direkte nga pëlqimi i ministrit të financave”,- u shpreh kryetari i Këshillit gjyqësor, Zoran Karaxhoski.

Këshilli gjyqësor konstatoi se këto çështje problematike kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)