MAQEDONI
Maqedonia dhe Turqia këmbejnë përvojat në gjyqësor
23.06.2014 18:48
Akademia e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publik nga Maqedonia dhe Turqia...

Akademia e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publik nga Maqedonia dhe Turqia, do të këmbejnë përvoja në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve të ri, sidomos në planin e teknologjisë informatike.
Së shpejti të gjithë kandidatët në trajnimin fillestar në Akademinë e vendit, do të jenë mysafir në Ankara dhe Stamboll, për të parë drejtpërsëdrejti funksionimin e rrjetit të jurispodencës dhe punën e gjykatësve dhe prokurorëve në Turqi.
Për këtë qëllim dhe në suaza të memorandumit për bashkëpunim mes këtyre dy institucioneve, në Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve po qëndrojnë në vizitë gjykatës dhe përfaqësues të lartë të Gjyqësorit nga Turqia.
“Të gjitha problemet në vend, duke filluar nga ato individuale, kalojnë përmes Gjyqësorit dhe për këtë arsye është shumë i rëndësishëm Gjyqësori i pavarur. Paraprakisht nënshkruam protokoll, përmes së cilës do të kemi vizita të përbashkëta me qëllim të këmbehen përvojat dhe duam që drejtpërsëdrejti t’i trajnojmë dhe t’iu tregojmë se si punojmë”, deklaroi kryetari i Akademisë së Gjyqësorit të Turqisë, Ilmaz Akcil.
“Do të këmbejmë edukatorë, mentorë, veçanërisht na interesojnë teknikat e mësimdhënies, të cilat Akademia i shfrytëzon për trajnim fillestar dhe mënyra e hyrjes së gjykatësve dhe prokurorëve të ardhshëm në profesionin e jurispodencës ku dihet se janë vështirësuar kushtet edhe në Evropë. Veçanërisht na interesojnë arritjet e tyre në planin e teknologjisë kompjuterike, pasi që Republika e Turqisë është mjaft e avancuar në këtë drejtim”, theksoi drejtoresha e Akademisë për Gjykatës dhe Prokuror “PSH”, Aneta Arnaudova.
Gjatë vizitës në Maqedoni, delegacioni nga Turqia do t’i vizitojë Gjykatat, Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin e Prokurorëve etj.
FLORIJE KAMBERI
