Zgjedhjet lokale 2017, Aleanca për Shqiptarët prezanton vizionin për Tetovën
“Brenda mandatit katërvjeçar do t’u siguroj kushte të volitshme në sferën e infrastrukturës....

“Brenda mandatit katërvjeçar do t’u siguroj kushte të volitshme në sferën e infrastrukturës si dhe kujdes të lartë në mirëmbajtjen higjienike të kësaj zone”. Ky është premtimi që dha kandidati për kryetar të Tetovës nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Adnan Neziri, gjatë vizitës së tij në lagjen Çarshi e Epërme në Tetovë.
Ai duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve të kësaj lagje, tha se duhet një administrim dhe organizim më i mirë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të Komunës së Tetovës dhe këtë do të mund ta realizojë vetëm nëse më 15 tetor merr besimin e qytetarëve.
“Si kudo, problemet janë infrastrukturore të lëmive të ndryshme, sferës së arsimit, mirëmbajtjes së infrastrukturës, higjienës... Dihet se paguhen kontribute të veçanta për higjienën publike, që nënkupton larje, fshirje të rrugës. Ne jemi këtu dhe shohim që nuk ka aktivitete, ajo është punë e përditshme, duhet të bëhet, është e mundshme të bëhet, mirëpo duhet një organizim më i mirë i punëtorëve adekuatë dhe kuptohet edhe i përgjegjësve, po edhe i kryetarit, në fillim si kulturë dhe në vazhdim të bëhen punët të cilat janë të mundshme, janë të arsyeshme, nuk janë të kushtueshme, por janë detyrime të përhershme të shërbimeve publike, të institucionit të komunës”,- deklaroi kandidati për kryetar në Komunën e Tetovës nga Partia Aleanca për Shqiptarët, Adnan Neziri.
Kandidati për kryetar të komunës së Tetovës, Adnan Neziri, është zotuar se do ta bëjë Tetovën një qytet normal dhe europian, do të sjellë më shumë investime të cilat do të përmirësojnë kushtet jetësore të qytetarëve, do të punojë në rikonstruimin e shkollave dhe çerdhe, rrugëve dhe tretarëve, do të rregullojë çështjen e transportit, si dhe do të bëjë ndryshimin e tërësishëm të planeve urbanistike. Ai është i bindur se nëse fiton më 15 tetor, bashkë me ekipin e tij do të arrijë që Tetovën ta bëjë një vend me zhvillim më të mirë ekonomik për jetesë. (Amir Duraku, TVM2)
