Zgjedhjet lokale 2017, PDSh prezanton vizionin për Tetovën

04.10.2017 17:58

Partia Demokratike Shqiptare mbajti mbrëmë tubimin në lagjen Teteks të Tetovës....

Partia Demokratike Shqiptare mbajti mbrëmë tubimin në lagjen Teteks të Tetovës. Bardhyl Dauti, kandidat i PDSh-së për kryetar në komunën e Tetovës, shpalosi programin dhe ofertën e PDSh-së për Tetovën.

Dauti në fjalimin e tij potencoi se prioritetet e tij dhe ekipit të tij do të jenë investimet në infrastrukturë, stimulimi i ekonomisë vendase, rregullimi i kaosit trafik, menaxhimi i mirëfilltë me mbeturinat në këtë qytet, uji i pijshëm, ruajtja e ambienti jetësor dhe shumë projekte tjera që kanë për qëllim rregullimin e kaosit urban që mbretëron në Tetovë si dhe rikthimin e shpresës së humbur tek shqiptarët e Tetovës nga keqqeverisja e BDI-së.

“Në kuadër të promovimit të barazisë qytetare do të krijojmë programe të veçanta, ku do të bëhet përkujdesja institucionale për personat në nevojë, rastet sociale do të lirohen nga pagesat administrative, hapja e rrugës Bllagoja Toska, premtim kapital, rregullimi i kanalizimit fekal, asfaltimi i rrugëve, ndërtimi i sallave sportive në dy shkolla, bekatonizimi dhe asfaltimi në Teqe e Teteks, furnizimi me ujë të mjaftueshëm për pije, asfaltimi në lagjen Bregu i Diellit ku nuk është investuar”,- deklaroi kandidati për Komunën e Tetovës – PDSh, Bardhyl Dauti.

Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, mes tjerash, theksoi se me votë për PDSh-në duhet ndëshkuar pushteti që e solli Tetovën në këtë gjendje kaotike. Mesazhi që duhet përcjellë është se vota për PDSh-në do ta shtyjë bashkësinë ndërkombëtare që edhe më shumë të angazhohet për t’i ecur proceset tona përpara, tha Thaçi.

“Këta që e drejtojnë Komunën e Tetovës, me plehra, pa ujë, me premtime të parealizuara, duhet t’u japim dënimin e merituar… Këtë votë do ta shikojë edhe bashkësia ndërkombëtare dhe kam shpresa që shqiptarët do të votojnë kundër këtyre që nuk kanë prej 15 viteve pa asnjë rezultat, e kjo do ta detyrojë bashkësinë ndërkombëtare t’i japë një mbështetje më të fuqishme shqiptarëve që jetojnë në RM”,– theksoi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.

Para banorëve të tubuar folën edhe  kryetari i degës së PDSh-së në  Tetovë, Arben Demiri, kandidati për këshilltar nga lagja e Teteksit, Adhurim Luta, dhe bartësi i listës së këshilltarëve, Adnan Bilalli. (Visar Sadiki, TVM2)