Kthimi në rigjykim i rastit “Monstra”, familjarët presin drejtësia të vihet në vend, partitë përshëndesin kërkesën e prokurorisë
Familjarët e të dënuarve në rastin “Monstra” e cilësojnë si një kthesë të rëndësishme....

Familjarët e të dënuarve në rastin “Monstra” e cilësojnë si një kthesë të rëndësishme kërkesën e Prokurorisë Publike për rigjykim të rastit, por kjo nuk do të thotë se gjithçka ka përfunduar.
Sipas Bedri Hajdari, të dënuarit nuk kanë argumente të reja, por shpresëdhënës është fakti që as familjet e të vrarëve më nuk besojnë se të dënuarit janë fajtorët e vërtetë.
“Jam optimist, mendoj dhe presim që në mënyrë ligjore, duke u përdorur ligjet që janë të parapara me Kushtetutën e RM-së, nëse vihen në funksion, ne shpresojmë që të lirohen… Propozimi u dha dhe Këshilli Gjyqësor është tërheq për të marrë vendimin mbi propozimin. Ne nuk disponojmë me argumente të reja, por gjatë kohë është përfolur se këto i posedon PPS… Kemi reagime edhe nga pala e dëmtuar, ata që e kanë humbur djalin e tyre, dhe pamë dje edhe mendimin e tyre, se nuk duan edhe ata që me çdo kusht këta të jenë të dënuar dhe të akuzuar, dhe ata janë të interesuar që njerëz të pafajshëm mos të dënohen”,- deklaroi familjari i të dënuarve, Bedri Hajdari.
Kanë reaguar edhe partitë politike.
“Inkurajoj Gjykatën Supreme të marrë vendimin e menjëhershëm për rigjykim transparent të rastit dhe të lirojë njerëzit nga burgu pa asnjë ditë vonesë. Kjo duhet të vazhdojë edhe për rastet e tjera të kontestuara si “Sopoti” dhe “Lagja e Trimave””,- u shpreh Artan Grubi nga BDI.
“Vetë kryetari ynë, Zijadin Sela, u jep përparësi rasteve “Monstra” “Sopoti” dhe “Lagja e trimave”, para të gjitha rasteve të tjera, si raste me urgjencë për të kthyer besimin te sistemi i drejtësisë dhe për të përfunduar perceptimin e një drejtësie selektive për shqiptarët, si ka qenë deri më tani”,- theksoi Flakron Bexheti nga Partia Aleanca për Shqiptarët.
“Pavarësisht se ka subjekte të caktuara politike të cilat mundohen ta përvetësojnë për pikë politike, ne urojmë që në fund të merret një vendim për lirimin e të gjykuarve për rastin “Monstra” dhe drejtësia të zë vendin e vet”,- tha Faton Fazliu nga Lëvizja BESA.
LSDM thotë se zbardhja e këtij rasti ishte premtuar që kur partia e Zaevit ishte subjekt opozitar dhe tani i njëjti edhe do të marrë epilog të drejtë gjyqësor.
Nga VMRO nuk deshën të komentojnë kërkesën e Prokurorisë Publike.
Nga Lëvizja BESA, ndërkohë, urojnë që në fund të merret një vendim për lirimin e të gjykuarve për rastin “Monstra” dhe drejtësia të zë vendin e vet, edhe pse BESA është kundër që subjekte të caktuara politike po mundohen të përfitojnë pikë me këtë rast. Sipas tyre, fituan qytetarët që ngritën zërin në protesta.(Gazmend Rexhepi, TVM2)
