Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, Partia Aleanca për Shqiptarët prezantoi vizionin për Zhelinën

05.10.2017 12:33

Partia Aleanca për Shqiptarët mbajti mbrëmë tubim para banorëve të komunës së Zhelinës...

Kryetari, Ziadin Sela, e ka theksuar si një nga proceset me të rëndësishme politike dhe problemet qenësore çështjen e decentralizimit, e ka akuzuar BDI-në si fajtor kryesor të dështimit të këtij procesi dhe mosrealizimit të projekteve me interes lokal, degradimin e sistemit arsimor, mungesën e investimeve në kulturë, mungesën e ujit, duke deklaruar se beteja politike sapo ka filluar dhe rezultatet e qeverisjes qytetarët mund t’i shohin edhe me rregullimin e çështjes së gjuhës shqipe.
 
Sela ka përmendur edhe rastet e montuara për shqiptarët, duke kërkuar që atyre që u bënë bashkëpunëtorë në këto montime t’u tregohet vendi me votë më 15 tetor. Sela tha se shqiptarët tashmë janë të vetëdijesuar për t’i dhënë përgjegjësinë kandidatëve si Reshat Aliu, që menaxhojnë me dije dhe transparencë. 
 
“Zhelina e kupton më mirë se çdo kund tjetër se në fund të fundit demokracia është ndryshim. Kandidati i kampusit tjetër politik i ka pasur dy mandate, popujt e civilizuar kaq lejojnë që të qeverisësh vetëm dy mandate dhe tani duhet të largohet për t’ia lënë vendin ndryshimit dhe ndryshimi vjen nëpërmjet Aleancës për Shqiptarët”,- deklaroi kryetari i Partisë Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela.
 
Kandidati për kryetar komune, z. Reshat Aliu, përmendi raste kur komuna ka kërkuar mjete financiare nga banorët e disa vendbanimeve, pjesë përbërëse e komunës së Zhelinës, duke shprehur habinë se përse një kryetar komune nuk i përdor fondet zhvillimore që Bashkimi Europian i jep ndihmë Maqedonisë. Ai tha se asnjë kryetar komune nuk guxon të prek në xhepin e bashkëvendësve dhe t’i detyrojë të paguajnë financimin e projekteve të mangëta të komunës. 
 
Përpara banorëve të tubuar të komunës së Zhelinës u prezantua edhe bartësi i listës së këshilltarëve të Aleancës për Shqiptarët, z. Mehdin Nazifi.
 
ARLINDA BAFTIU