Irak, forcat qeveritare morën qendrën e Havias nga ISIS
Forcat irakiane thonë se e kanë rimarrë kontrollin ndaj qendrës së qytetit Havia, që ishte bazë e grupit ekstremist “Shteti Islamik”...

Forcat irakiane thonë se e kanë rimarrë kontrollin ndaj qendrës së qytetit Havia, që ishte bazë e grupit ekstremist “Shteti Islamik”, në provincën Kirkuk, dhe po avancojnë në sulmin e tyre në këtë qytet, që ka mbetur baza e fundit e militantëve në Irak.
Ushtarët, policët dhe pjesëtarët e grupeve paramilitare, të mbështetura nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara “e çliruan tërë qendrën e qytetit Havia dhe po e vazhdojnë avancimin e tyre”,- tha komandanti i operacionit, Abdel Amir Yarallah. Kjo ofensivë ka filluar më 21 shtator.
Havia ndodhet afro 240 kilometra në veri të kryeqytetit Bagdad dhe 50 kilometra në perëndim të Kirkukut. Kombet e Bashkuara para dy ditësh kanë njoftuar se vlerësohet se 12,500 njerëz janë larguar nga Havia, prej se ishte lansuar ofensiva e ushtrisë irakiane. Numri i saktë i njerëzve që ende ndodhen në qytet është i panjohur, por mendohet se ky numër mund të jetë më i lartë se 78 mijë.
