Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, BDI prezantoi vizionin për Likovën dhe Gostivarin

05.10.2017 15:03

Kandidati për kryetar të Komunës së Likovës, Erkan Arifi...

Kandidati për kryetar të Komunës së Likovës, Erkan Arifi, në pres konferencën e sotme ka prezantuar programin e tij.

Ai tha se “Bashkimi Demokratik për Integrim për këtë mandat për të gjithë qytetarët e komunës së Likovës ka përgatitur platformë shumë të shkurtër, por mjaft koncize, në të cilën janë të përfshira projektet kapitale të realizuara deri më tani nga BDI dhe të gjitha projektet prioritare dhe më të rëndësishme për banorët. BDI kurrë nuk është marrë me premtime bombastike e të parealizueshme, por gjithmonë i parashohim ato projekte të cilat do të bëhen realitet, e këtë e dëshmojmë me atë se thuajse të gjitha projektet që i kemi parapa gjatë zgjedhjeve të kaluara tani më janë realizuar, ku vet qytetarët i shohin dhe i prekin ato, vetëm investime kapitale nga BDI janë bërë mbi 17 milion euro”,- tha Arifi.

Ai potencoi se për ujësjellësin në nivel komunal deri më tani është investuar rreth 2.5 milion euro, në kanalizime rreth 1 milion euro, në asfaltimin e rrugëve rreth 10 milion euro, bekatonizim të rrugicave mbi 500.000 euro, rekonstruim të tërësishëm të shkollave fillore komunale rreth 630.000 euro, salla sportive rreth 1 milion euro, Shkollën e Mesme ”Ismet Jashari”, investime rreth 490.000 euro, si dhe shumë projekte të tjera të cilat banorët e komunës së Likovës i ndjejnë për çdo ditë.

“Për këtë mandat në platformë kemi paraparë projekte me të cilat vendbanimet e Komunës së Likovës të duken me pamje urbane, vendbanime me plane urbanistike për fshatrat  të miratuara, infrastrukturë rrugore të ndërtuar dhe të rikonstruar, përfundim të ndërtimit të rrjetit të ujësjellësit për të gjitha vendbanimet, përfundimi i të gjitha rrjeteve të  kanalizimeve, e sipas mundësive edhe fillimin e ndërtimit të kolektorëve për pastrimin e ujërave të zeza”,- deklaroi kandidati për kryetar të Komunës së Likovës nga BDI, Erkan Arifi.

Arifi përmendi edhe  infrastrukturë shkollore që i plotëson të gjitha kushtet për zhvillim të mirëfilltë të procesit edukativo – arsimor,  hapjen e zonës së lirë ekonomike, përfundimin e ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës, si dhe investime tjera për zhvillimin e sportit, kulturës dhe projekte të tjera që do ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal, hapjen e vendeve të reja të punës, me çka për banorët do të sjellim mirëqenies sociale sa më të duhur për të gjithë. Arifi tha se BDI do të vazhdojë të angazhohet për një komunë stabile në aspektin financiar, administratë profesionale, ndërmarrje publike që do t’i ushtrojë të gjitha veprimtaritë e parapara me ligj dhe në të mirë të qytetarëve.

“Në vazhdim të rrugës së trasuar në 4 vitet e kaluara,- tha më tej ai,-  do të vazhdojmë realizimin e projekteve të mëdha përmes  bashkëpunim midis bashkësive vendore dhe qytetarëve, pushtetit vendor, pushtetit qendror, si dhe përmes  bashkëpunimit  me  institucionet e ndryshme të vendit dhe të huaja”.

“Duke filluar nga ky vit, komuna do të menaxhojë tokën ndërtimore dhe nga transferi i tokës shtetërore në atë private do të sigurohen mjete shtesë për realizimin e një numri të madh projektesh. Bashkë më të fortë, bashkë vazhdojmë”,- u shpreh kandidati i BDI-së  për kryetar të Komunës së Likovës, Erkan Arifi.

Ndërkohë kandidati i BDI-së për kryetar në Komunën e Gostivarit, Nevzat Bejta, ka vazhduar takimet me qytetarët në fshatin Banjicë të Epërme, ku ka rikonfirmuar realizimin e projektit për ndërtimin e kanalizimit për ujërat fekale në këtë fshat, ndërkohë që ua prezantoi edhe planet e reja për Gostivarin e nesërm.

“Ua dhashë fjalën se në mandatin do ta realizojmë ndërtimin e kanalizimit për ujërat e zeza. Projektin e kemi përfshi edhe në programin tonë parazgjedhor 2017 – 2021. U zotuam që do ta asfaltojmë rrugën që shkon për tek stadiumi i fshatit dhe gjitha rrugicat që e lidhin fshatin me qytetin e Gostivarit. Po ashtu, ndriçimin publik dhe punët e tjera që do të lindin si kërkesë e banorëve të fshatit Banjicë e Epërme”,- u shpreh kandidati për kryetar komune në Gostivar nga BDI, Nevzat Bejta.

Bejta tha gjithashtu se sikurse premtimet e vitit 2013, edhe premtimet që ua tha banorëve të Banjicës dhe që janë përfshirë në programin zgjedhor, do të gjejnë realizim në mandatin e ri 2017 – 2021. (Amir Duraku, TVM2)