Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, PDSh prezantoi vizionin për Studeniçanin
05.10.2017 15:46
Partia Demokratike Shqiptare mbrëmë mbajti tubimin e saj në Batincë të Studeniçanit...

Partia Demokratike Shqiptare mbrëmë mbajti tubimin e saj në Batincë të Studeniçanit. Kandidati i PDSh-së për kryetar komune në Studeniçan, Azem Sadiku, prezantoi projektet e realizuara në mandatin e kaluar si dhe programin e PDSh-së për katër vitet e ardhshme për Studeniçanin.
Sadiku përmendi se për herë të parë Studeniçiani arriti të tërheq mjete financiare përmes projekteve nga fondet IPA dhe Banka Botërore, bashkëpunim me USAID-n, UNDP-në, Agjencinë zvicerane për zhvillim dhe agjencinë turke TIKA. Ai potencoi se së bashku me e ekipit të tij do të vazhdojnë me programin e investimeve në infrastrukturë, me stimulimin e ekonomisë vendase, si dhe me shumë projekte të reja e që kanë për qëllim zhvillimin e mëtutjeshëm të kësaj komune.
“Vendbanimet tona kanë marrë pamje të re. Kemi realizuar shumë projekte që dukshëm përmirësuan jetën në Studeniçan. Batinca ishte në gjendje të mjerueshme, me rrugë të pandërtuara, pa infrastrukturë e pa shpresë. Kemi arritur që vetëm në Batincë të ndërtojmë rrugë të asfaltuara prej 6.5 km, ndërtimi i shtegut të këmbësorëve 4.5 km, rrjeti sekondar i kanalizimit fekal, 3.5 km, meremetimi i shkollës në Baticë dhe e fushës së sportit me standard europian”,- theksoi kandidati për kryetar komune në Studeniçan nga PDSh, Azem Sadiku.
Të pranishmëve në këtë tubim iu drejtua edhe kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, i cili duke folur për sukseset e Azem Sadikut, mes tjerash theksoi se aftësia dhe ndershmëria e individit është shumë e rëndësishme për drejtimin e mirëfilltë të një komune.
“Vetëm në Batincë janë shtruar 6 km rrugë, në nivel komune 20 km. A e dini në Tetovë sa km janë shtruar, 7 km e gjysmë, një komunë 20 herë më e madhe sesa Studeniçani e që mburret se ka mbështetje qeverinë. Kjo tregon se sa i rëndësishëm është njeriu. Pastërtia e ndershmëria e tij i ka mundësuar edhe bashkëpunimin e BE-së, Amerikën e Turqinë e me shtete të tjera”,- u shpreh kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Nën tubim foli edhe Regaip Mustafa - bartësi i listës së këshilltarëve të PDSh-së për komunën e Studeniçanit. Ai premtoi se së bashku me këshilltarët e tjerë të kësaj partie do të punojnë në të mirën e banorëve të kësaj komune.
BESIM ABDULLAI
