Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, VMRO-DPMNE prezantoi vizionin për Manastirin dhe Resnjën
05.10.2017 16:03
Unë e di që Manastiri dhe e gjithë Maqedonia më 15 tetor përveç që do të votojnë për kryetarë komunash...

Unë e di që Manastiri dhe e gjithë Maqedonia më 15 tetor përveç që do të votojnë për kryetarë komunash, do e dinë që kur do të japin votën për kryetarin dhe për listën e këshilltarëve, me automatizëm do të japin votë për një epokë të re për Maqedoninë, për vizionin dhe për një të ardhme më të mirë.
Kështu deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në tubimin e mbajtur mbrëmë në Manastir. Ai theksoi se vota e 15 tetorit është votë që jepet për 150 mijë vende të reja pune.
“Vota për VMRO-DPMNE-në dhe Koalicionin, vota për Zoran Ilioskin dhe listën e këshilltarëve, njëkohësisht do të jenë një votë për 150,000 vende të reja pune në dekadën e ardhshme në Republikën e Maqedonisë. Ulje të papunësisë nën 10 për qind, 6, 7 ose 8, por ndër 10 për qind e papunësisë në Republikën e Maqedonisë, ashtu si në vendet e tjera të zhvilluara. Ne kemi kredibilitet të votojmë diçka të këtillë, sepse pasi që pas ardhjes në pushtet papunësia prej gati 40 për qind u zvogëlua në 22.5 për qind”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
“Qëndroj para jush dhe pres besimin tuaj që të jem mes jush i pari për të kryer detyrat me përkushtim dhe përgjegjësi, për të menaxhuar qytetin më të lashtë në Maqedoni”,- tha Zoran Ilioski, kandidat për kryetar të komunës së Manastirit nga VMRO-DPMNE. Ai e sheh Manastirin si qytet i gjeneratës së re të cilët janë të bindur se aty do të mund të ndërtojnë ardhmërinë e tyre.
“Qytetarët e Manastirit duhet të jetojnë në një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt, ajër cilësor, ujë dhe tokë me shumë gjelbërim. Kryetari i komunës nuk duhet të jetë pushtet, por një menaxher i komunës, në emrin tuaj, në emrin e qytetarëve. Kjo është gjëja më e rëndësishme, ndërsa besimi fitohet me transparence. Në fokusin tonë janë kryesisht të rinjtë që ne do ti mbajmë në Manastir duke ju siguruar atyre punë, shtëpi të mirë dhe kushte cilësore për jetesë”,- tha kandidati për kryetar në Manastir nga VMRO-DPMNE, Zoran Ilioski.
Strezovski paralajmëroi se në katër vitet e ardhshme do të ndërtohet një qarkore rreth Resnjës, do të rindërtohen shumë rrugë, do të realizohet faza e dytë e sistemit të ujësjellësit të qytetit, do të ndërtohen disa sisteme fekale, do të vendoset ndriçim i mirëfilltë, si dhe do të vazhdohet me ndërtimin e plazheve të reja në liqenin e Prespës.
“Dhe në periudhën e ardhshme nuk do të neglizhojmë arsimin, kulturën dhe sportin. Kjo është vetëm një pjesë nga gjithsej 108 projekte. Pas 4 vjetësh, përsëri do të qëndrojmë para jush për të konstatuar se ajo që kemi premtuar dhe e kemi realizuar. Motoja jonë është gjithmonë punë, gjithmonë Maqedoni”,- theksoi kandidati për kryetar në Resnjë nga VMRO-DPMNE, Gjoko Strezovski.
Nga VMRO-DPMNE kërkuan besimin e qytetarëve për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.
SANIJE DURAKU
