Zgjedhjet lokale 2017, Lëvizja BESA prezantoi vizionin për Bogovinën
Lëvizja BESA ka prezantuar kandidatin për kryetar dhe listën e këshilltarëve për komunën e Bogovinës....

Lëvizja BESA ka prezantuar kandidatin për kryetar dhe listën e këshilltarëve për komunën e Bogovinës.
“Ne duam një komunë e cila do të jetë në shërbim të popullit. Çdo ditë të rinjtë emigrojnë nëpër botë për shkak të mosaftësisë së udhëheqësve me institucionet. Duhet të bëjmë çmos që komuna t’i kthehet rinisë, çdo njeri duhet ta konsiderojë komunën, se ajo është në shërbim të tij dhe jo ai të vihet në shërbim të komunës”,- tha kandidati për kryetar në komunën e Bogovinës, Munir Hasani.
Ai u shpreh se duan t’i rikthejnë vlerat dhe t’ia kthejnë diturisë epitetin që i takon. Të zgjedhin drejtorë të shkollave në mënyrë institucionale, jo shkolla ku do të emërohen njerëzit e paaftë për arsye se janë të dëgjueshmit e partisë, por arsimtarë të cilët e meritojnë t’i edukojnë fëmijët tanë, tha Hasani përpara banorëve të Bogovinës.
“Ju kisha lutur asnjëherë mos mendoni se votoni për mua, votoni për të ardhmen e fëmijëve tuaj, votoni për çlirimin e institucioneve, votoni sepse ata i kanë zënë peng këto institucione. E kemi obligim para Zotit edhe para popullit, ne sakrifikuam, i lamë detyrat tona të shenjta, se detyrë e shenjtë mbi më të shenjtat është puna për atdheun, puna për popullin. Nuk më duhet asnjë denarë dhe nuk dua të jetoj asnjë ditë nëse unë strukem dhe nuk i dal të keqes përpara. Ne sot i themi publikisht stop të keqes, stop krimit, stop pengmarrjes së institucioneve, stop politizimit të institucioneve”,- deklaroi kandidat për kryetar në komunën e Bogovinës nga Lëvizja BESA, Minur Hasani.
Munir Hasani përfundoi se “nuk duhet të vdesim të turpëruar, që fëmijët tanë të na lënë vetëm siç na kanë lënë, sepse ne nuk ishim të aftë që atyre tua sigurojmë të ardhmen, të jetojnë ne vendin e tyre, por të emigrojnë nëpër botë për shkak të paaftësisë së këtij pushteti”.
Edhe Zejd Rexhepi, anëtari i kryesisë qendrore të BESËS, tha se bankat e shkollave kanë mbetur zbrazët për shkak të mjerimit dhe varfërisë ne vend.
“15 vite me radhë, partia në pushtet na gënjen duke na premtuar se do të na zgjidhë hallet dhe përsëri vazhdon të na fusë në humnerë, 15 vite me radhë partia në pushtet na tregon se ata mund tua kthejnë lumturinë fëmijëve tanë dhe buzëqeshjen. Ata 15 vit kanë qene në pushtët, po aq vite na kanë sjellë mizori, varfëri, në burgim, na kanë sjellë vrasje, na kanë sjellë shpërngulje të shqiptarëve. Na kanë sjellë zvogëlimin e nxënësve, na kanë sjellë të gjitha të këqijat dhe hallet dhe tash pas 15 viteve na premtojnë se do tua kthejnë lumturinë dhe buzëqeshjen fëmijëve. Nëse premtojnë se do të ua kthejnë buzëqeshjen, pse vallë ata ua vodhën këto 15 vite?”,- tha anëtari i kryesisë qendrore të BESËS, Zejd Rexhepi.
Bartësi i listës në Komunën e Bogovinës nga radhët e kësaj partie, Florim Rakipi, tha se “Qytetarët e komunës së Bogovinës duhet të votojnë Lëvizjen BESA dhe numrin 14, sepse fitorja e BESËS është fitore e popullit dhe përfundimisht ta çrrënjosim zullumin e BDI-së nga komuna jonë dhe vendosim vlerat mbi antivlerat”. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
