Selanik, Dimitrovi takim me Koxiasin

05.10.2017 17:28

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ka realizuar në Selanik...

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ka realizuar në Selanik një takim gjysmë orës me homologun e tij grek, Nikos Koxias. Pas takimit, Dimitrovi deklaroi se në parim u diskutua për ardhmërinë e rajonit, me qëllim të krijimit të vizionit pozitiv.

“Konkretisht biseduam për bashkëpunim më të përafërt ndërmjet organizatave të sektorit civil mes dy vendeve, organizatave akademike. Do të tentojmë ta nxisim atë në universitete dhe biseduam edhe për organizimin e biznes-forumit. U diskutua edhe për çështje tjera, por kryesorja kishte të bënte me atë se si të hapim një dritare pozitive që po hapet në bashkëpunimin tonë”,- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.

Sa i përket kontestit me emrin, Dimitrovi theksoi se për zgjidhjen e çështjeve që na ndajnë është me rëndësi të gjejmë pika që na bashkojnë.

Ministri Dimitrov pas takimit me Koxiasin ka takuar edhe prefektin e Selanikut, Janis Butaris.

Dy takimet u realizuan në margjinat e takimit katërpalësh, në të cilin krahas Dimitrovit dhe Koxiasit, po marrin pjesë edhe ministrat e Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe Shqipërisë.

Takimin ministror e hapi ministri grek Koxias, në të cilin u diskutua rreth çështjeve të sigurisë, përforcimin e bashkëpunimit në këtë sferë në kontekst me sfidat e reja me të cila përballet rajoni, por edhe bota në përgjithësi, përforcimin e bashkëpunimit tejkufitar, si dhe energjetikën. (Gyltene Sinani, TVM2)