Rasti “Lagjja e trimave” - Sulejman Osmani, Prokuroria: Sulejman Osmani të shpallet fajtor; Raufi: Nuk bëhet fjalë për terrorizëm
Prokurori i angazhuar në rastin e Sulejman Osmanit, si pjesë e grupit në rastin “Lagjja e Trimave”....

Prokurori i angazhuar në rastin e Sulejman Osmanit, si pjesë e grupit në rastin “Lagjja e Trimave”, gjatë fjalëve përfundimtare i kërkoi trupit gjykues që ta shpallë atë fajtor për veprën “organizim terrorist” dhe “terrorizëm”.
Nevoja për të defokusuar publikun nga protestat e shumta gjatë vitit 2015 ka rezultuar me rastin “Lagjja e trimave”, theksoi avokati mbrojtës, Naser Raufi. Sipas tij, në këtë rast nuk ekziston vepër penale “organizim terrorist” dhe “terrorizëm”, pasi nuk janë gjetur si dëshmi plan-veprimet apo ndonjë objekt konkret si pikësynim i sulmit. Raufi po ashtu theksoi se Gjykata nuk dëshiron të zbardhë rastin, pasi nuk ka pranuar dëshmitë kruciale.
“Këtu kanë qenë dëshmitarët që kanë qenë të involvuar direkt në bisedat me personat e akuzuar, ka qenë e propozuar Ministrja e MPB-së, ka qenë i propozuar drejtori i Shërbimit Sekret, Mitko Çavko, Sasho Mijallkov, kanë qenë konkretisht të propozuar dhe personat që kanë pasur kontakt me vet anëtarët e grupit dhe arsyeja që i kemi propozuar ka qenë e qartë që bisedat e realizuara ndërmjet personave dhe grupit janë ndërprerë”,- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Ekspertizat e MPB-së për rastin nuk janë objektivë, shprehet Raufi, sipas të cilit kjo duhet të rishikohet gjatë hetimit të paralajmëruar ndërkombëtarë. Dëshmia e Osmanit vërteton se Mirsad Ndrecaj ishte dorëzuar i gjallë, tha Raufi. I akuzuari, Sulejman Osmani, para trupit gjykues theksoi se qëllimi i grupit të armatosur ka qenë të takohen me partitë politike për të diskutuar çështjen shqiptare, që, sipas tij, edhe shumë vite pas implementimit të Marrëveshjes së Ohrit e njëjta nuk është zbatuar. Ai shtoi se grupi ka kërkuar edhe lirimin e të burgosurve politik dhe të burgosurve si pasojë e rasteve të montuara.
Aktvendimi gjyqësor për Sulejman Osmanin do të shpallët më 19 tetor. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
