Keqpërdorën subvencionet, 24 kallëzime penale nëpunësve shtetërorë
Prokuroria Themelore Publike njofton se gjatë ditës së sotme....

Prokuroria Themelore Publike njofton se gjatë ditës së sotme ka realizuar aksion të koordinuar me MPB-në për arrestimin e disa nëpunësve shtetërorë.
“Me aksionin e realizuar në Shkup, Tetovë, Gjevgjeli dhe Vallandovë janë arrestuar 24 persona, kundër të cilëve është ngritur procedurë hetimore për ekzistimin e dyshimeve se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Me punën e tyre joligjore kanë dëmtuar buxhetin e Maqedonisë për rreth 220 mijë euro. Mes të dyshuarve janë 15 persona zyrtarë në Ministrinë e Bujqësisë dhe njësitë rajonale të kësaj ministrie, ndërsa personat tjerë janë persona fizikë dhe persona juridikë, përgjegjës për prona private”,- thuhet në njoftimin e Prokurorisë. Prokurori kompetent tek gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Shkupi 1, ka dorëzuar propozim për masën e paraburgimit kundër shtatë personave të dyshuar. Edhe MPB e ka konfirmuar rastin duke bërë të ditur se janë ngritur 24 kallëzime penale.
“Të denoncuarit, veprat penale i kanë bërë në mënyrë që në cilësinë e kryetarëve të komisioneve për vendosjen në shpalljet publike për dhënien me qira të tokës shtetërore, si dhe në cilësinë e personave zyrtarë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke nënshkruar marrëveshje me qiraxhinj të ri për parcelat të cilat kanë qenë juridikisht të kontestueshëm dhe nuk kanë mundur të jenë lëndë e marrëveshjes. Për parcelat e kontestuara janë kërkuar subvencione në kundërshtim me ligjin”,- thuhet nga MPB.
MPB bën të ditur se në periudhën prej vitit 2011 deri në vitin 2016, të denoncuarit në mënyrë joligjore kanë përfituar 22.736.54 euro. (Ersan Pajaziti, TVM2)
