Monitorimi i fushatës, AShMAA ngre tre procedura kundërvajtëse
Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele....

Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele ka iniciuar procedura për kundërvajtje kundër TV Nova-s, TV Alsat-M dhe TV “24 Vesti”.
Në bazë të raporteve nga monitorimi i realizuar ndaj prezantimit zgjedhor mediatik, mediat e lartpërmendura kanë shkelur Kodin Zgjedhor gjatë mbulimit të fushatës zgjedhore, konstaton Agjencia.
Procedurat e kundërvajtjes kundër TV Nova-s dhe TV Alsat-M iniciohen për shkak të tejkalimit të limitit për reklamim të paguar politik. “Monitorimi ndaj TV Alsat-M tregoi se më 26 dhe 28 shtator 2017, në një orë reale të programit të emetuar, është ndarë më shumë kohë nga ajo që lejohet me ligj për partitë politike në Kuvendin e RM-së, që nuk kanë grup parlamentar”,- thuhet në kumtesën e Agjencisë. Përkatësisht, ky medium më 26 dhe 28 shtator ka publikuar 58 sekonda më shumë propagandë për Aleancën për Shqiptarët dhe për Koalicionin Aleanca për Shqiptarët.
Nga ana tjetër, me mbikëqyrjen ndaj TV Nova-s, që ka të bëjë me periudhën nga 28 shtatori deri më 1 tetor 2017, është konstatuar se në një orë reale të programit të emetuar është transmetuar më shumë kohë nga ajo që është e lejuar për partitë politike të opozitës. Përkatësisht për Koalicionin VMRO-DPMNE dhe të tjerë, më 28.09 është ndarë 12 minuta e 24 sekonda, ose 4 min e 24 sekonda më shumë nga limiti i lejuar me ligj.
Procedura e kundërvajtjes për TV “24 Vesti” është e iniciuar për shkak të mosrespektimit të rregullave për publikimin e rezultateve nga hulumtimi i mendimit publik, në materialin e titulluar – “Dita e shtatë e fushatës për Zgjedhjet lokale”, e transmetuar më 1 tetor 2017.
Nenin 75 i Kodit Zgjedhor thotë se gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, në rrethin e parë dhe të dytë të votimit, radio-difuzerët që mbulojnë zgjedhjet mund të transmetojnë gjithsej 18 minuta kohë shtesë për reklamim në një orë reale program i emituar i paraparë ekskluzivisht për reklamim politik, prej të cilave për partitë politike në pushtet mund të ndajnë më së shumti tetë minuta, për partitë politike në opozitë mund të ndajnë më së shumti tetë minuta, për partitë politike në Kuvendin e RM-së që nuk kanë grup parlamentar mund të ndajnë një minutë dhe për partitë politike që nuk janë të përfaqësuara në Kuvendin e RM-së mund të ndajnë një minutë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
