Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, Lëvizja BESA prezantoi vizionin për Komunën e Tearcës
06.10.2017 13:13
Lëvizja BESA vazhdoi fushatën parazgjedhore mbrëmë në Komunën e Tearcës...

Bartësi i listës në këtë komunë, Amet Imeri, akuzoi këshillin aktual komunal për jotransparencë dhe se nuk ka dhënë asnjëherë llogari para qytetarëve për punën e realizuar. Kjo gjë do ndryshojë, tha ai, sepse Lëvizja Besa do të punojë për të siguruar një jetë më të dinjitetshme për të gjithë.
“Prona publike do të konsiderohet si e shenjtë dhe nuk do të keqpërdoret në asnjë mënyrë. Nuk do vihen qytetarët në shërbim të institucionit, por institucionet në shërbim të qytetarëve dhe për çdo vendim do konsultohemi me qytetarët dhe vendimet do publikohen ne ueb faqe”,- tha Imeri.
“Nuk do ketë gërmime të tokës pa pëlqimin e banorëve të fshatit, nuk do ketë instalim të hidrocentraleve pa i përfshirë fshatrat, investimet do të bëhen në të gjitha lagjet dhe jo vetëm në lagjet e preferuara të kryetarit dhe pas 15 tetorit vendimet e këshillit të Komunës do të publikohen në ueb faqe dhe do të jenë transparente për të gjithë”,- deklaroi bartësi i Listës në Komunën e Tearcës, Amet Imeri.
Ndërkohë, kandidati i BESËS për kryetar në Komunën e Tearcës, Amir Elezi, tha se programi zgjedhor 2017-2021 ofron një jetë të re për banorët e Tearcës. Sipas tij, banorët e Tearcës meritojnë jetë më cilësore, sepse Tearca deri më tani nuk ka mundur të prosperojë për shkak të korrupsionit dhe zaptimit të pronës publike për përfitime personale, gjë që ka shkaktuar pamundësimin e realizimit të shumë projekteve infrastrukturore. Ai më tej shtoi se vizioni i Lëvizjes BESA është që të çlirojë Tearcën nga kthetrat e politikës dhe Komuna e Tearcës t’u rikthehet qytetarëve dhe ata të bashkëqeverisin.
“Me ne qytetarët e Tearcës do të jenë të lirë dhe do ta ndjejnë komunën si institucion që u shërben atyre pavarësisht bindjeve ideologjike, politike ose religjioze dhe pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Në komunën e Tearcës ka mjaftueshëm kushte për të stimuluar bizneset e vogla andaj dhe ne do angazhohemi të ju japim lehtësime tatimore dhe t’i subvencionojmë. Kjo do bëhet që të luftohet ekonomia joformale, të stimulohet biznesi real dhe të rritet shkalla e punësimit në Komunë”,- tha Elezi.
“Kur ta çlirojmë Komunën e Teracës kemi ndërmend ta ndërtojmë atë. Do ta ndërtojmë me projekte dhe vizion të qartë sepse pjesë e këtij projekti dhe vizioni ishin vizitat tona në nivele ndërkombëtare. Ne kemi hallin se si si te ju qytetarët e Tearcës të ngjallim shpresën për përparim social,ekonomik,kulturor,me projekte të qarta. Vizioni ynë paraqet zhvillim ekonomik stimulues për bizneset e vogla hapjen e kapaciteteve të reja dhe mundësimin e një mjedisi ekologjik”,- u shpreh kandidati për kryetar në Komunën e Tearcës nga Lëvizja BESA, Amir Elezi.
Nga Lëvizja BESA thanë se do të punojnë në kontinuitet edhe për përmirësimin e nivelit të arsimit dhe drejtorët dhe arsimtarët do jenë të lirë nga presionet politike dhe do të vëzhgohen për cilësinë e tyre të punës. “Deponitë do të shndërrohen në parqe dhe gjelbërime dhe pronat e uzurpuara do t’i kthehen Komunës. Pa marrë parasysh se me kë koalicionin BDI, Lëvizja BESA do jetë fituese më 15 tetor”,- potencoi Elezi para banorëve të Tearcës.
FLUTURA LATIFI-LATIFI
