Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, BDI prezanton vizionin për Likovën
06.10.2017 14:02
Bashkimi Demokratik për Integrim mbrëmë është ndalur në tubim në Mateç të Komunës së Likovës, me çka u promovua edhe kandidati për kryetar komune në Likovë, Erkan Arifi....

I pranishëm në tubim ishte edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili kërkoi mbështetjen e banorëve për kandidatin e kësaj partie në Likovë. Duke folur për zgjedhjet lokale, lideri i BDI-së, Ahmeti, tha se zgjedhjet nuk janë thjeshtë fushatë, por së pari janë detyrim dhe zotim i BDI-së për krijimin e një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt. E tërë BDI-ja do të qëndrojë prapa kandidatit të tyre për Likovën, me qëllim që të vazhdohen projektet në dobi të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Komunën e Likovës, për arsim, shëndetësi dhe për përmirësimin e infrastrukturës, tha Ahmeti.
Njerëzit që nuk e vlerësojnë të kaluarën sigurisht se nuk e meritojnë të ardhmen, tha lideri Ahmeti, duke vlerësuar monumentin e ndritur në Karadak si dëshmi e mbajtjes gjallë të shpirtit kombëtar shqiptar. Ahmeti në takim me banorët e Likovës u ndal edhe tek ndërprerja e procedurës parlamentare për përdorimin e gjuhës shqipe, me çka u premtoi të pranishmëve se çështja e përdorimit të gjuhës shqipe do të vazhdojë në seancën parlamentare pasi të mbarojmë zgjedhjet lokale. “Nuk kërkojmë asgjë më shumë se barazi të plotë në të gjitha nivele”,- nënvizoi Ahmeti.
“Ju të gjithë jeni dëshmitarë se filloi një debat dhe e pamë të arsyeshme që ky debat të mos devalvojë dhe pasi e detektuam se mund t’i japim karakter se gjoja ne duam ta përdorim për zgjedhje lokale, atëherë vendosëm që ky debat të ndërpritet dhe të fillojë seanca menjëherë pas përfundimit të ciklit zgjedhor, po ama shmangie nuk ka nga votimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, duke filluar me përdorim të plotë, e shkruar, e arkivuar, e folur në parlament qeveri, polici, gjyqësi, prokurori, gjithandej”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Platforma e BDI-së për Likovën parasheh program real dhe jo propagandistik”,- tha kandidati i BDI-së për Likovën, Erkan Arifi. Arifi tha se duke pasur parasysh investimet kapitale prej 17 milion eurosh në Komunën e Likovës nga mandati i kaluar, me ardhjen e tij në pushtetin lokal do të vazhdohet pikërisht në disa nga këto projekte që kanë ngelur pa përfunduar, që përshinë infrastrukturën, shkollën, kanalizimin, ujësjellësin, rrugët, bujqësinë dhe pikat tjera që janë në programin e BDI-së, nënvizoi kandidati i BDI-së për Likovën, Arifi.
“Ne në programin tonë katërvjeçar kemi paraparë që të ndërtojmë ujësjellësin me ndihmën e pushtetit qendror, duke pasur parasysh se ky projekt ka kaluar në disa faza, ku faza më e rëndë dhe më problematike ka qenë marrja e pëlqimit nga Ministria e Bujqësisë, ku atë pëlqim ne e kemi siguruar dhe do të vazhdojmë me fazën e tretë, e cila lidh gypsjellësin Likovë- Mateç. Për vitin 2018, siç tha edhe ministri, me propozim buxhetin është paraparë që gypi kryesor Nikushtak, Llojan, Vishticë, Ropancë, Sllupçan, Opajë të përmbyllet me 1.5 milion euro. Ne ju sigurojmë se do të vazhdojmë me avazin që e kemi paraparë në programin, ku do t’i përmbyllim të gjitha detajet që janë në projektin tonë. Po ashtu si pikë kryesore dhe kyçe e kemi parapa përmbylljen dhe vazhdimin e të gjitha pikave kyçe infrastrukturore. Njëkohësisht dua të cek se programi ynë parasheh një realitet me pika synime dhe konkluza të qarta”,- u shpreh kandidati për kryetar të Likovës nga BDI, Erkan Arifi.
Kryesuesja e Listës për këshilltarë, Lejla Iseni, tha se BDI del në këto zgjedhje me program të qartë për të çuar përpara proceset, “që do t’i kontribuojë uljes së papunësisë përmes investimeve, dijes dhe emancipimit, që bashkërisht të mundësojnë kushte për jetesë më të mira për banorët e komunës së Likovës”.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
