Maqedoni

Janeva: Po analizohen materialet e konfiskuara

06.10.2017 14:19

PPS po i analizon materialet e konfiskuara gjatë bastisjes së djeshme në zyrat dhe shtëpitë...

PPS po i analizon materialet e konfiskuara gjatë bastisjes së djeshme në zyrat dhe shtëpitë e personave të dyshuar për dhënien e sekretit zyrtar, bën të ditur prokurorja speciale, Katica Janeva. Ajo sqaroi se me asistencë të policisë është kryer kontroll në shtëpitë e tre personave, si dhe kontroll personal të ish kryetarit të Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski.
 
“Natën e kaluar, ekipet tona dhe policia u mblodhën për bastisje. Mbrëmë dhe sot po hartohen procesverbalet dhe gjithçka që është konfiskuar do t'i dorëzohet Prokurorisë. Mendoj se atë që e kërkuam dhe gjetëm në shtëpitë e morëm. A është gjithçka që është e nevojshme nuk mund ta them”,- deklaroi Katica Janeva nga PPS.
 
E pyetur rreth asaj nëse materialet e konfiskuara dëshmojnë se nga ish kryetari i Gjykatës Penale, Pançevski, janë nxjerrë informacione për presidentin, Gjorge Ivanov, para vendimit të tij për abolim, Janeva tha se materialet ende po analizohen.  
 
“Nuk mundem asgjë të konfirmoj, sepse për momentin të dhënat e konfiskuara po analizohen”,- u shpreh Janeva.
 
Qëllimi i bastisjes së PPS-së ishin kompjuterët të cilët i ka shfrytëzuar Pançevski si kryetar i Gjykatës Themelore Shkup 1, për të mësuar se si ka ndodhur që dëshmitë e prokurorëve të Prokurorisë Speciale të jenë në dispozicion të prokurorëve dhe dëshmitarëve. 
 
GYLTENE SINANI