Botë

Stuhia “Xavier”, viktima e kaos në Gjermani

06.10.2017 15:27

Shtatë persona kanë gjetur vdekjen në Gjermani prej stuhisë së fuqishme “Xavier”, të përplasur furishëm mbi veri-lindjen e vendit...

Me erëra që mbërrinin shpejtësinë 115 km në orë, ajo ka bllokuar rrugët e ka rrëzuar pemë duke mbjellë panik mes banorëve.
 
Katër prej viktimave vdiqën në automjetet e tyre, dy të shtypur prej pemëve që u ranë siper. Paralajmërimet e autoriteteve janë për një stuhi të kategorisë së tretë, që mund të mbërrije nivelin e katërt, çka detyroi zyrtarët e emergjencës civile të shpallnin gjendjen e jashtëzakonshme në disa zona të vendit, përfshirë Berlinin, ku njerëzit janë këshilluar të mos dalin nga shtëpitë deri sa stuhia të jetë larguar.
 
Situata e krijuar solli ngërçe të mëdha në qarkullimin urban.
 
“Unë kam që në tre të mëngjesit që pres, por disa njerëz kanë mbetur këtu që prej ditës së djeshme e nuk kanë mundur të largohen”, thotë  Thomas Nguyen.
 
“Deshëm të marrim trenin për në Mannheim dje në mbrëmje, por nuk arritëm dot për shkak të stuhisë. Kështu që e kaluam natën në hotel, megjithatë tani sërish po na thonë se nuk lëvizim dot”, tregon Boris Krieger.
 
Hekurudhat gjermane e ndaluan përkohësisht lëvizjen e trenave e vonesa pati edhe nëpër aeroporte. disa pjesë të sistemit të metrosë në kryeqytet u mbyllën, një sërë segmentesh rrugore, si ai që lidh Berlinin me Hamburgun mbeten të pakalueshme, ndërsa mijëra vetë janë ende pa energji elektrike./Top Channel