Dhuna në Kuvend, sulmuesi i Shekerinskës e pranoi fajin
I akuzuari, Pançe Angellov, i cili në ngjarjet e Kuvendit më 27 prill....

I akuzuari, Pançe Angellov, i cili në ngjarjet e Kuvendit më 27 prill tërhoqi për flokë deputeten, aktualisht ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinskën, para trupit gjykues e ka pranuar fajin. Ai tha se ndjehet fajtor për veprën dhe e pranon akuzën në tërësi.
Angellovi i kërkoi falje opinionit dhe ministres Shekerinska për veprimin, ndërsa tha se atëherë ka qenë në gjendje afekti dhe është penduar për rastin. Ai thekson se ka tërhequr atë për flokë për ta larguar dhe se nuk e ka sulmuar fizikisht.
“Thash se pendohem për veprimin dhe më vjen keq që e kam bërë dhe mendoj se një gjë e tillë nuk do të më ndodh më asnjëherë në jetë. Nuk e qëllova për ta lënduar, vetëm se e tërhoqa për flokë dhe aq”,- u shpreh i akuzuari, Pançe Angellov.
Avokati i të akuzuarit, Dragan Peshevski, kërkoi nga gjykata të sjellë dënim sa më të ulët, duke marrë parasysh faktin se e ka pranuar fajin dhe se i njëjti është në moshë dhe jeton vetëm.
“Është e qartë që dënimi ka gjasa të jetë me burg, por mendoj se në rastin konkret ekzistojnë rrethana të veçanta lehtësuese në anën e të akuzuarit që mund të sjellin edhe dënim me kusht”,- u shpreh avokati, Dragan Peshevski.
Shekerinska theksoi se dhuna ka ekzistuar dhe për këtë duhet përgjegjësi, sidomos për porositësit e kësaj ngjarje.
“Kjo është vetëm edhe një dëshmi se dhuna ka ekzistuar dhe se ngadalë ka filluar të pranohet. Akoma shohim akt frikacak ku në vend të porositësve pranë gjykatësve i shohim vetëm kryerësit e veprës. Do ta shtyj këtë proces deri në fund, që të gjithë të dinë se për dhunën ka përgjegjësi”- u shpreh pala e dëmtuar, Radmilla Shekerinska.
Në ngjarjet e 27 prillit u lënduan deputetë e gazetarë, ndërsa u demolua objekti i Kuvendit. Aktvendimi gjyqësor për këtë rast do të shpallet më 12 tetor. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
