Zgjedhjet lokale 2017, VMRO-DPMNE paraqet vizionin për Shkupin

06.10.2017 16:28

VMRO-DPMNE dhe partnerët e koalicionit prezantuan para qytetarëve të Komunës Qendër....

VMRO-DPMNE dhe partnerët e koalicionit prezantuan para qytetarëve të Komunës Qendër kandidatin për këtë komunë dhe kandidatin për Qytetin e Shkupit, si dhe listat për këshilltarë dhe programin zgjedhor.

Kreu i kësaj partie, Nikolla Gruevski, tha se në këto zgjedhje VMRO do ta fitojë edhe Komunën Qendër, e cila aktualisht drejtohet nga tabori kundërshtar. Sa i takon kandidatit për qytetin e Shkupit, Koce Trajanoskin, Gruevski tha se VMRO ia ka besuar kandidaturën për shkak të sukseseve që ka shënuar në mandatet e kaluara. Ndërkaq, kandidatin për Komunën Qendër e cilësoi si njeri me dinjitet, jurist dhe sportist i dëshmuar.

“Edhe 10 ditë na ndajnë nga dita e votimit, ku në Komunën Qendër VMRO-DPMNE ka kandidat, i cili do të jetë kryetari i ardhshëm i Komunës Qendër. Dean Jovanovski dhe lista e këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së në Komunën Qendër dhe Koce Trajanoski, Kryetar i Shkupit, i tashmi dhe kryetar i ardhshëm i Shkupit. Unë besoj fort se njerëzit në Qendër kësaj here do të dinë të njohin cilësinë. Do të dinë të njohin personalitet i cili është stabil, i arsimuar, jurist i diplomuar me përvojë ndërkombëtare në sport, personalitet serioz dhe i përgjegjshëm që e mban fjalën. Për Koce Trajanovskin nuk duhet të flitet shumë. Banorët e Qendrës patën mundësi ta shohin, më herët si deputet, por edhe si kryetar i Shkupit, në kohën kur në Qendër investohej shumë”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Gruevski numëroi disa nga projektet që janë realizuar në Qytetin e Shkupit në periudhën kur Trajanoski drejtonte Shkupin.

“U ndërtuan shumë garazhe në kate, garazhe nën tokë, u zgjeruan bulevardet. U investua thuaja në çdo pjesë të Komunës Qendër. Qendra nuk mban mend kaq investime sa kanë ndodhur që kur Koce Trajanoski është në krye të Qytetit të Shkupit”,- theksoi Gruevski.

Ndërkaq, kandidati për kryetar të Shkupit nga radhët e VMRO DPMNE-së, Koce Trajanoski, tha se kryeqyteti po përballet me sfida të reja dhe se ai ofron ide dhe zgjidhje të reja, por për këtë kërkoi unifikim dhe mbështetje.       

“Më 15 tetor do të fillojë erë e re në Qendër dhe në Shkup. Erë e re me sfida të reja. Erë e re me ide të reja. Prandaj, ju inkurajoj duhet të jemi të unifikuar. Në mandatin e parë bëmë bulevardin Ilinden, i njohur si “Ilindenska”, me të cilin krenohemi sepse u bë njëri nga bulevardet më të mirë të Qytetit të Shkupit. Pasoi bulevardi Gologanov, Bulevardi “Klimenti i Ohrid”, i cili shtrihet nga Qeveria deri te objekti “Nova Makedonija”. Sivjet e zgjeruam dhe rekonstruuam rrugën Todor Aleksandrov, me shtigje për biçikleta në korsi. Të gjitha në interes të qytetarëve të Komunës Qendër dhe qytetarëve të Qytetit të Shkupit”,- tha kandidati kryetar në Qytetin e Shkupit, Koce Trajanoski.

Zgjidhje për trafikun e ngarkuar dhe zona të gjelbra premtoi kandidati për Komunën Qendër, Dean Jovanovski. Sipas tij, me këto masa banorët do të kursejnë kohë, ndërsa ajri do të ndotet më pak. 

“Premtoj dhe siguroj se më 15 tetor, kur ta fitojmë mbështetjen tuaj, Komuna Qendër do të bëhet komunë efikase që i shërben qytetarëve dhe nevojave të tyre. Komunë që do të jetë e kapshme për të gjithë ju, me zgjidhje efikase për të gjithë problemet e juaja. Parkimi në Komunën Qendër nuk do t’ua komplikojë më jetën, për shkak të vështirësisë së përditshme për të gjetur një vend parkim. Një nga mënyrat me të cilin do ta zgjidhim këtë problem është ndërtimi i parkingjeve të montuara, relaksimin e trafikut me zgjidhje të reja ideore me ç’gjë do të zvogëlohet trafiku i përditshëm”,- theksoi kandidati për kryetar në Komunën Qendër,   Dean Jovanovski.

Jovanovski premtoi se do të kujdeset për të gjitha kategoritë e qytetarëve, posaçërisht për ata që ballafaqohen me probleme dhe sfida të reja.

“Të gjitha objektet në kompetencë të komunës do të fitojnë elevator për personat me nevoja të posaçme, më shumë zona për këmbësorë dhe ndërtimin e më shumë parqeve dhe hapësira të gjelbra”,- tha kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar në Komunën Qendër, Ace Jovanovski. (Shpëtim Nuredini, TVM2)