Zgjedhjet lokale 2017, Aleanca për Shqiptarët takime në Tetovë

06.10.2017 17:36

Kandidati i Aleancës për Shqiptarët në Komunën e Tetovës, Adnan Neziri....

Kandidati i Aleancës për Shqiptarët në Komunën e Tetovës, Adnan Neziri, ka mbajtur një takim me forumin rinor të kësaj partie në Tetovë, i shoqëruar edhe nga bartësi i listës së këshilltarëve, Arif Selami, dhe nënkryetari i ASh-së, Agon Ferati. Lumnin Junuzi nga forumi rinor i Aleancës për Shqiptarët kërkoi nga kandidati për kryetar, Neziri, që të dëgjojë dhe plotësojë kërkesat e rinisë.

Kandidati për kryetar të Tetovës, Adnan Neziri, premtoi se do të ndalojnë emigrimin e të rinjve, duke hapur vende të reja pune dhe duke vënë punësimin e rinisë si prioritet të platformës së tij.

Gjithashtu ai edhe njëherë e përmendi faktin që do largojë kazinot dhe lojërat e fatit nga qyteti me qëllim që rinia t’i përkushtohet arsimit dhe kulturës. Premtoi përmirësim të nivelit arsimor, si dhe cilësi të lartë edukative-arsimore në nivel lokal, hapjen e pishinave, kinemasë, bibliotekës së qytetit etj. Ai po ashtu premtoi formimin e një qendre për aktivitete kulturore, me qëllim që rinia tetovare, sipas tij, të ketë kushte të barabarta me të rinjtë e kryeqytetit.

Nënkryetari i ASh-së, Agon Ferati, premtoi se do të jetë i gatshëm gjithmonë që zëri i rinisë të dëgjohet edhe nëpër institucionet më të larta komunale dhe shtetërore.