Hasani pranon mandatin, do të veprojë si e pavarur
Ajo ka hedhur poshtë zërat se ka oferta për t’ju bashkangjitur ndonjë subjekti tjetër politik duke mbetur në qëndrimin paraprak se do të veprojë si deputete e pavarur me qëndrim opozitar.........

Edhe pse RDK tashmë zyrtarisht e ka larguar nga radhët e saj, kuvendi i verifikoi dje mandatin e deputetes Mirsada Emini Hasani.
Ajo ka hedhur poshtë zërat se ka oferta për t’ju bashkangjitur ndonjë subjekti tjetër politik duke mbetur në qëndrimin paraprak se do të veprojë si deputete e pavarur me qëndrim opozitar. Por veprimet e Hasanit në të ardhmen edhe mund të ndryshojnë varësisht nga ofertat.
Pranimi i mandatit nga ana e deputetes Hasani duke mos respektuar vendimin e kryesisë qëndrore të RDK-së, ka qenë edhe shkaku i konfliktit mes saj dhe kreut të RDK-së Rufi Osmani.
Ky i fundit i ka kërkuar deputetes të dorëzojë mandatin por Hasani nuk pranoi me arsyetimin se votat populli i ka dhënë për tu përballur në Kuvend e jo për veprime jashtë parlamentare. RDK-ja në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme të mbajtur ditë më parë solli vendim unanim për përjashtim nga radhët e saj të Mirsada Emini Hasanit.
Sipas RDK-së, Hasani nuk ka respektuar vendimin e Kuvendit Qendror të partisë për refuzimin e mandatit të fituar nga zgjedhjet e fundit, zgjedhje të cilat partia e Osmanit i vlerëson si më të korruptuarat dhe më jodemokratiket të organizuara deri tani.
Mbetet ende për tu parë nëse deputetja Mirsada Emini Hasani do të vazhdojë të veprojë si deputete e pavarur apo do ju bashkangjitet njërit prej dy blloqeve politike shqiptare në Kuvend.
