Përfaqësimi gjinor në pushtetin lokal, politikanët kërkojnë ndryshime ligjore
15 kandidatët femra prezantuan kandidaturat e tyre me të cilat garojnë....

15 kandidatët femra prezantuan kandidaturat e tyre me të cilat garojnë në zgjedhjet lokale të 15 tetorit.
Drejtori i përgjithshëm i Institutit demokratik amerikan, Kris Hershou, tha se situata me përfshirjen e gruas në këto zgjedhje është më keq se sa në zgjedhjet paraprake. Prandaj kjo duhet të ndryshojë që vendi të jetë në hap me shtetet demokratike.
“Në zgjedhjet paraprake ka pasur gjithsej 26 kandidatë, ndërsa tani janë vetëm 15, që është indikator se situata nuk është e mirë. Ne biseduam me partitë politike, deshëm që t’i bindim se duhet të rritet numri i femrave nëpër listat zgjedhore, sepse shumë prej tyre janë me kualifikime. Siç duket kjo nuk mund të arrihet me marrëveshje xhentëlmenësh, andaj kjo duhet të rregullohet me ligj. Gratë nuk duhet vetëm të përfaqësohen, por edhe të përfaqësojnë”,- deklaroi drejtori i Institutit demokratik amerikan, Kris Hershou.
Edhe pse gratë gëzojnë shumë të drejta të barabarta me meshkujt në shumë institucione të vendit, deputetët gra në Kuvendin republikan kërkojnë ndryshim të ligjit zgjedhor.
“Edhe përkundër të gjitha rezultateve pozitive, kemi vetëm rreth 34 për qind gra në Kuvendin e Maqedonisë dhe 30 për qind në këshillat lokalë d.m.th., kjo përqindje nuk mjafton”,- tha Gjylymsere Kasapi nga LSDM.
“Në listat për zgjedhje lokale kemi vetë 15 gra, nuk jam e kënaqur me këto numra, sot do të flas si grua jo si përfaqësuese e partisë, nuk mjafton ky numër, duhet të punojmë që të rritet ky numër”,- theksoi Daniella Rangellova nga VMRO-DPMNE.
Klubi i grave deputetëve si dhe Komisioni për barazi gjinore do të propozojë ndryshime në Ligjin zgjedhor me miratim të kuotës për përfshirjen e femrës në zgjedhjet lokale. (Sevdije Metaj-Zyberi, TVM2)
