Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017: Partia ASH, aktivitete asambleja e gruas
07.10.2017 14:43
Sot Asambleja e grave pranë Aleancës për Shqiptarët, ka mbajtur një pres konferencë për sensibilizimin e kancerit të gjirit...

Jakute Alimi nga APSH ka theksuar se muaji tetor shënon një muaj shumë të rëndësishëm për sa i përket shëndetit të grave. Bëhet fjalë, për muajin e ndërgjegjësimit dhe luftës kundër kancerit të gjirit, i cili paraqet një sfide globale, një sfide edhe për shoqërinë tonë.
Shifrat për gratë e prekura nga ky lloj kanceri janë shqetësuese dhe alarmante, por fatkeqësisht reale.
Në RM çdo ditë nga katër gra preken nga kanceri i gjirit. nëse ju referohemi statistikave të vitit të kaluar janë zbuluar 1200 raste të reja të të prekurve nga kanceri i gjirit. Gjatë këtij muaji qëllimi është që të ngritet vetëdija tek gratë për rrezikun nga kanceri i gjirit.
Duke dashur që ti inkurajojmë gratë që të ndërmarrin hapat e nevojshme për ekzaminimi e hershëm të kësaj sëmundje përmes ehos të gjirit, mamografisë dhe metodave të tjera të zbulimit të hershëm tha Alimi.
“Luftimi i kancerit të gjirit kërkon një trajtim të veçantë dhe sensibilizim të gjërë të shoqërisë. Për luftimin e kancerit të gjirit duhet forcë, forcë në vete, përkrahje nga familja, mjedisi por edhe nga personeli shëndetësor. Duke krijuar një partneritet më të fuqishëm midis nesh dhe politikës, midis mjekëve dhe shoqërisë civile, mediumeve dhe opinionit, për sensibilizim, humanizim dhe fuqizim të shoqërisë tonë, për një mision unik – atë, të luftimit të kancerit të gjirit.Sot, ne dëshmojmë kujdesin dhe solidaritetin tonë, jo vetëm si individ por edhe si shoqëri në përkrahje ndaj të gjithë atyre që janë të prekur nga kjo sëmundje. Ne duhet të përpiqemi të mos punojmë vetëm në muajin sensibilizues por duhet të trajtojmë këto probleme në çdo kohë”, shprehet Jakute Alimi nga parti Aleanca për Shqiptaret.
Nga Asambleja përcjellin një mesazh deri te të gjitha gratë që janë të prekura nga kanceri i gjirit se, ato nuk janë të lëna vetëm në këtë betej, ato kanë përkrahjen dhe mbështetjen e gjithë shoqërisë.
GYLTENE SINANI
