Maqedoni

Raporti i “MOST”: Fushatë e qetë, por me disa incidente

08.10.2017 16:00

Pjesa e parë e fushatës zgjedhore kryesisht kaloi në mënyrë të relaksuar...

Ky është vlerësimi i Asociacionit qytetar MOST nga vëzhgimi i fushatës në periudhën 25 shtator - 4 tetor 2017.

Por edhe përkundër kësaj MOST ka dedektuar keqpërdorime të resurseve publike, më shpesh nga kryetarët e  komunave të cilët janë kandidatë në zgjedhje, në një komunë është vërejtur, presion për prani të qytetarëve në aktivitete partiake, organizim i ngjarjeve partiake gjatë orarit të punës në dy komuna nga ana e kryetarëve të komunave nga VMRO-DPMNE, si dhe një rast i shantazhimit për votim për një kandidat të pavarur.

"Jemi dëshmitarë edhe të demolimit të 10  shtabeve zgjedhore të katër partive më të mëdha në tetë komuna dhe shkatërrim i materialit propagandues në gjashtë komuna ", thekson MOST.

Në kuadër të incidenteve gjatë fushatës, është edhe rrahja e kandidatit për kryetarë komune të Shuto Orizares, Elvis Bajrami dhe kërcënimi me vdekje ndaj kandidatit të Lëvizjes Besa, Bashkim Bakiu.

Nga asociacioni dënojnë ashpër  dhunën e çfarëdo lloji dhe u bëjnë thirrje pjesëmarrësve në zgjedhje , të përmbahen nga keqpërdorimi i ngjarjeve të këtilla dhe të ngjashme për qëllime zgjedhore dhe autoritetet kompetente  në mënyrë të hollësishme t'i hetojnë këto ngjarje. 

Most  në raport potencon edhe se disa nga vendimet e Komisionit shtetëror zgjedhor u sollën në mbledhje për të cilat vëzhguesit nuk ishin të informuar.

Gjithashtu, KSHZ nuk i miratoi procesverbalet e veta me kohë, që pamundëson kontroll të plotë në punën e tij, ndërsa disa nga vendimet dhe raportet e miratuara nuk janë publikuar në ueb-faqen zyrtare. Sa I përket ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, MOST thotë se në asnjë mënyrë nuk duhet të ndodhin gjatë procesit zgjedhor.

Prej fillimit të fushatës zgjedhore Asociacioni qytetar MOST ka angazhuar 80 vëzhgues afatgjatë të cilët i mbulojnë të gjitha komunat në Republikën e Maqedonisë. Këta vëzhgues e mbikëqyrin punën e administratës zgjedhore dhe rrjedhën e fushatës zgjedhore.Nga vëzhguesit u morën dhe analizuan 1.108 raporte për fushatën zgjedhore dhe 357 raporte për aktivitetet në komuna.

BESIM ABDULLAI