Maqedoni

Rasti “Sopoti”, sërish anulohet gjykimi për rastin “Sopoti”

09.10.2017 13:20

Me kërkesë të palës mbrojtëse dhe pëlqimin e përfaqësuesit të PPS-së është anuluar seanca gjyqësore për rastin “Sopoti”...

Seanca është anuluar me arsyetimin e ndryshimit të Këshillit Gjyqësor dhe përfaqësuesit të akuzës, që tani është Prokuroria Speciale.
 
Avokati mbrojtës, Vullnet Paçuku, thotë se do të bëhet ridëgjimi i të gjithë dëshmitarëve.
 
“Kërkuam një anulim të shkurtër, që Gjykata e pranoi më datën 18, do të jetë seanca e ardhshme ku do të bëhet edhe koncentrimi i të gjitha dëshmive të cilat do të shqyrtohen dhe shpresojmë se në atë seancë, në qoftë se ka mundësi, të përmbyllet edhe shqyrtimi i të gjitha dëshmive në këtë procedurë. Patjetër se do të jetë Ramadan Bajrami, të gjithë ata që si dëshmitarë okularë janë dëgjuar në seancat paraprake të cilat vërtetonin se këta të akuzuar asnjëherë nuk kanë qenë pjesëmarrës në këtë vepër”,- deklaroi avokati mbrojtës, Vullnet Paçuku.
 
Paçuku lë të kuptohet se nëse e kërkon nevoja do të ftohen si dëshmitarë edhe dy bashkëbiseduesit që në “bombat” e publikuara të opozitës folën për rastin e Sopotit, Gordana Jankullovska dhe Sasho Mijallkov.
 
“Varësisht nga dëshmitë e tjera që do të prezantohen, ne kemi të drejtë të propozojmë edhe dëshmi të tjera, por këtë do ta vlerësojmë në fazën e mëtutjeshme të procedurës”,- u shpreh Paçuku.
 
Për rastin e Sopotit, Gjykata e Kumanovës fillimisht gjykoi 11 persona me burg të përgjithshëm prej 150 viteve me akuzën se kanë vendosur minë në rrugën Sushevë –Sopot, ku në 4 mars 2003 humbën jetën dy ushtarë polakë të NATO-s dhe një civil.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI