Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, VMRO – DPMNE prezantoi vizionin për Strumicën dhe Radovishin

09.10.2017 14:30

VMRO-DPMNE dhe koalicioni kanë vazhduar me aktivitetet parazgjedhore në Strumicë dhe Radovish...

VMRO-DPMNE dhe koalicioni kanë vazhduar me aktivitetet parazgjedhore në Strumicë dhe Radovish, ku lideri i kësaj partie, Nikolla Gruevski, kërkoi përkrahjen për kandidatët për pushtetin lokal, pasi, siç tha ai, ata dëshirojnë të jenë në shërbim të qytetarëve.
 
Ai me këtë rast prezantoi projektin e kandidatëve të kësaj partie për ushqim të freskët pa pagesë për nxënësit e shkollave fillore nga klasa e parë deri në të pestën. Përfitimet nga kjo do të jenë të shumta, pasi do të shmanget ushqimi i shpejtë, ai do të jetë i përshtatur për moshën, prindërit nuk do të jenë të shqetësuar për kualitetin e ushqimit të fëmijëve, por në mënyrë direkte ndihmohet edhe buxheti familjar, pasi kursehen mesatarisht rreth 600 denarë për çdo fëmijë. Po ashtu ai tha se do të punohet që varësisht nga mundësitë e komunave që projekti të përfshijë edhe nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën. 
 
“Dëshirojmë të ndërtojmë qytete dhe fshatra në të cilat qytetarët do të jetojnë në paqe, mirëqenie dhe të lumtur. Vendimi është i juaji, nga ju varet ardhmëria e Maqedonisë. Vendosni fund errësirës dhe të shkojmë së bashku dhe me krenari përpara. Ta zhvillojmë Maqedoninë, ta modernizojmë, të realizojmë projekte që do të jenë në interesin tuaj dhe në interes të qytetarëve, në interes të Strumicës. Prandaj kërkojmë votën në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Maqedonisë”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
Kërkoj votën tuaj që të mos i dërgoni fëmijët tuaj në çerdhe e shkollë nëpër rrugët plot gropa dhe trotuare të pa pastruara, deklaroi kandidati për kryetar të Strumicës nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit,  Marjan Bajraktarov.
 
“Pastërtia është problemi më i rëndësishëm i qytetit, të cilin e quajnë europian. Në të gjitha hyrjet në qytet do të shihni deponi që janë të rrezikshme ndaj shëndetit tonë. Prioritet i imi do të jetë përmirësimi i higjienës komunale në qytet dhe vendbanimet tjera, si dhe pastrimin e deponive të egra. Paralajmërova edhe kyçje pa pagesë në rrjetin e gazsjellësit për të gjithë. Me këtë në mënyrë direkte do të ndikohet në ambientin jetësor, dhe do të pengohet ndotja e ajrit. Do të punojmë në shfrytëzimin konstruktiv të energjisë, nëpërmjet projektit ndërtimin e fasadave energjetike efikase për ndërtesat më të vjetra se 40 vjet”,- u shpreh kandidati për kryetar të Strumicës - VMRO-DPMNE, Marjan Bajraktarov.
 
VMRO-DPMNE kërkoi përkrahje edhe për kandidatin e saj për kryetar të Radovishit, Sashko Nikollov, pasi, siç u tha, ka projektin më të mirë për këtë qytet. Ndërsa Nikollov tha se programi i tij përmban masa konkrete për përmirësim të jetës së qytetarëve në Radovish, duke ndërtuar një komunë moderne. Në programin tonë ka projekte për infrastrukturën, arsimin, ambientin jetësor dhe gjithçka është përllogaritur me saktësi, premtoi kandidati për kryetar nga VMRO-së për Radovishin. 
 
“Sot njerëzit lehtë mund të bëjnë krahasim, si ishte dikur dhe si është sot. Veprat na bëjnë më të ndryshëm nga politikanët tjerë të cilët vetëm premtojnë gjithçka dhe asnjëherë nuk sjellin rezultate, rezultatet e shndërruara në vepra ne na dallojnë nga të tjerat. Atë që e premtojmë ne është reale dhe e realizueshme, ajo që e flasin oponentët tanë janë fjalë të zbrazëta dhe shumë herë premtime jo reale prandaj edhe nuk mund tu besohet. Populli ynë, është i mençur dhe e bën dallimin mes nesh dhe atyre, përpjekja, përkushtimi, puna mbajtja e fjalës së dhënë na dallojnë nga oponentët politik”,- theksoi kandidati për kryetar komune në Radovish - VMRO-DPMNE, Sashko Nikollov.
 
Për realizimin e projekteve të parapara nga kandidatët për kryetarë është e nevojshme përkrahje edhe për listat e kandidatëve për këshilltarë të VMRO-DPMNE-së në Strumicë dhe Radovish,  u tha në këto tubime. 
 
AMIR DURAKU